Australi, vritet me thikë trajneri i Adelaide Crows

03/07/2015 00:00

Trajneri i ekipit të futbollit australian, Adelaide Crows është sulmuar për vdekje me thikë, ka bërë të ditur policia në jug të Australisë.

Agjentët ishin thirrur pas një debati të ndezur në ambjentet e shtëpisë së trajnerit Phil Walsh, të cilit ata i dhanë mjekimet e para por ai ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.

I biri 26-vjeçar i trajnerit është arrestuar dhe është akuzuar për vrasjen. Ndërsa bashkëshortja e Walsh, Meredith u shoqërua për në spital pasi kishte marrë disa plagë të lehta.

Policia deklaroi se trajneri 55-vjeçar ishte goditur disa herë me thikë, e cila u gjet në vendin e ngjarjes.

“Atje pati një debat, nuk di t’ju them se për çfarë u diskutua, por për pasojë zoti Walsh dhe bashkëshortja e tij morën disa plagë, të cilat për kryefamiljarin ishin fatale”, deklaroi një detektiv për mediat.

Futbolli tipik australian është i ngjashëm me atë amerikan, ndonëse nuk ka të njëjtat përmasa. Njerëzit kanë filluar të vendosin lule jashtë selisë së klubit të Adelaides në kujtim të trajnerit të ndjerë.

Përmes një njoftimi për shtyp, vetë drejtuesit e klubit u shprehën “të shkatërruar” nga humbja e trajnerit.

“Ne ju kërkojmë të respektoni privatësinë e familjes së tij, si dhe të lojtarëve, trajnerëve dhe stafit tonë në këto momente shumë të vështira”, thuhet në deklaratë.

Vetë Walsh kishte qenë më parë futbollist, duke luajtur për klube të ndryshme përpara se të fillonte karierën si trajner.

Top Channel