“Marca”: Ramos ka vendosur, e ardhmja larg Realit

03/07/2015 00:00

Sergio Ramos ka vendosur të largohet nga Reali i Madridit pas 10 viteve me fanelën e “Los Blancos”.

Lajmi bëhet i ditur nga “Marca”, sipas së cilës, një prej shkaqeve është edhe çështja e rinovimit të kontratës. “Marca” shkruan se, bisedimet mes Ramos-it dhe drejtuesve të klubit “Merengues” kanë mbetur pezull, pasi ka ende diferenca mes kërkesës dhe ofertës.

Sergio Ramos pretendon që të përfitojë nga ky rinovim një pagë prej 10 milionë euro në sezon, ndërsa Presidenti i Realit, Florentino Perez nuk ka ndërmend t’i ofrojë atij më shumë se 7 milionë euro në sezon. Për më tepër, “Marca” thekson gjithashtu se, Sergio Ramos mendon se imazhi i tij është dëmtuar në sytë e tifozëve, për shkak të kësaj historie pafund, ashtu siç ka ndodhur edhe me mikun e tij, Iker Casillas

“Ramos po shikon se çfarë po ndodh me Casillas, i cili në dy sezonet e fundit është fërshëllyer nga një pjesë e tifozerisë së Realit të Madridit, dhe Sergio nuk ka ndërmend të përjetojë të njëjtën gjë”, thekson “Marca” në artikullin e saj.

Sergio Ramos mbërriti te Reali i Madridit në vitin 2005 nga Sevilla. Në ndjekje të tij është vënë Manchester United, që i ka ofruar klubit iberik 30 milionë euro për të siguruar shërbimin e mbrojtësit 29-vjeçar.

Top Channel