Analiza për zgjedhjet vendore, Meta: Dyfishuam votat, aty ku humbëm do të gjejmë përgjegjësitë

03/07/2015 00:00

Zërave për ndryshime në qeveri, por dhe dikastereve që mbajnë secila nga partitë e koalicionit në të, Ilir Meta nuk iu ka bërë jehonë.

Pas mbledhjes së kryesisë së LSI-së, aleati më i madh në qeverisje me socialistët nuk bëri asnjë pohim nëse partia e tij do të lërë dikasterin e  drejtësinë ndonjë dikaster tjetër. Ajo që kreu i LSI-së di me siguri është shpërblimi sipas rezultateve të zgjedhjeve brenda strukturave të partisë që drejton, ndërsa për ndryshimet në kabinetin qeverisës ia ka lënë të shprehet aleatit që e drejton atë,  Edi Ramës.

“Ndryshime në strukturat e LSI-së do të ketë sepse do të reflektohen edhe rezultatet. Meritat edhe kontributet, për sa i takon qeverisë, kjo është është një pyetje që në radhë të parë i takon Kryeministrit Rama, por për ne është e rëndësishme që qeveria të jetë e fokusuar në realizimin e objektivave dhe përveç tyre të ndjekë edhe krizën financiare në Greqi dhe pasojat e saj”, tha kreu i LSI-së.

Ilir Meta mblodhi kryesinë e LSI-së për të nisur analizën e rezultateve të 21 qershorit. Nuk mohoi kënaqësinë e dyfishimit të votave të partisë që drejton, krahasuar me lokalet e 2011-ës, sikundër nuk pajtohet me njësitë që u humbën. Si rastin tipik solli Pogradecin, ku me kërkesën për riorganizim të degës atje, Ilir Meta kërkoi të rikonfirmonte së pari përgjegjësinë e humbjes; ai po e kërkon brenda pragut të partisë së tij.

Ndryshe është qëndrimi i tij për Vorën, ku në bindjen e LSI-së aty janë regjistruar zgjedhës fiktivë. Nëse do të shkojë apo jo çështja në kolegjin zgjedhor, Ilir Meta shprehu rezerva për shkak të  mungesës së parashikimit ligjor për këtë rast, por ishte i bindur që këtë bashki nuk e ka humbur përfundimisht.

“Jam i bindur që shumë shpejt do të jemi forcë e parë politike në Bashkinë e Vorës dhe këtë do ta realizojmë duke i qëndruar më pranë atij komuniteti, të gjithë atyre që na votuan dhe na besuan”, u shpreh Meta.

Kreu i LSI-së deklaroi se opozita u përpoq të cenojë procesin zgjedhor të 21 Qershorit dhe për këtë, LSI, forca politike që ai drejton, kishte paralajmëruar më herët publikun dhe ndërkombëtarët.

“LSI, si forcë e përgjegjshme dhe serioze, shqetësohet për mbarëvajtjen e demokracisë dhe standardeve zgjedhore në Shqipëri, për cenimin e të cilave kishim paralajmëruar ndërkombëtarët se do të bëhej gjithçka për t’i cenuar nga opozita, që për fat të keq është akoma e çoroditur dhe në drejtim të paditur”, tha Meta, duke shtuar se pavarësisht kësaj, qytetarët votuan me qytetari dhe kulturë.

Top Channel