Bulqizë, banorët e Qytetit të Ri pa ujë. Autoritetet nuk ndërhyjnë

03/07/2015 00:00

Prej të paktën 1 javë, banorët e një pjese të lagjes Qyteti i Ri në Bulqizë, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Sipas banorëve të kësaj lagjeje, uji vjen i ndotur, me erë të rëndë dhe nuk mund të përdoret jo vetëm për t’u pirë, por as për larje, pasi nëse përdoret i ngrohtë lëshon një erë tejet të rëndë.

Ndotja me mikrobe e ujit është aq e madhe, thone banorët, sa ka sëmurur fëmijët, shumë prej të cilëve i kanë dërguar në spital për mjekim.

Banorët, përfshirë gra të moshuara e të mitur, me enë në duar kanë gjetur mundësinë të furnizohen me ujë në një pikë të qytetit. Të vënë në radhë për të mbushur ujë, ata shprehen të shqetësuar për këtë problem.

Nisur nga kjo situatë, drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit Bulqizë, Sami Bruçi, i cili thotë se për zgjidhjen e këtij problemi duhet ndërhyrja e Drejtorisë së Higjenës për të përcaktuar pikat e ndotjes dhe më pas ndërmarrja e drejtuar prej tij mund të ndërhyjë për riparimin e defektit.

Por e kundërta ndodh në Drejtorinë e Higjenës, ku drejtori Flamur Meta thotë se janë përcaktuar pikat ku ndodh ndotja e ujit, por ka munguar ndërhyrja nga ana e Ndërmarrjes së Ujësjellësit.

Por ndërsa dy drejtoritë ja pasojnë topin njëra-tjetrës, duket se pritshmëria e banorëve për zgjidhjen e këtij problemi do të zgjasë përtej parashikimeve.

Top Channel