Renault, me skuadrën e saj Lotus në Botërorin e Formula 1

03/07/2015 00:00

Renault do të ketë një skuadër të saj në Botërorin e Formula dhe ajo pritet të jetë Lotus. Skuadra e prodhimit të motorëve duket se, pas bisedimeve të ditëve të fundit e ka arritur një marrëveshje me ekipin nga Enston per blerjen e tij.

Sipas informacioneve që publikohen në media, Renault do të ketë 51% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër e tyre prej 49% do të jetë në administrimin e Genii Capital të Gerard Lopez. Në të njëjtën kohë mësohet se, në rolin e drejtuesit të skuadrës do të jetë një emër i madh i Formula 1 si Alain Prost.

Por për të mbyllur përfundimisht këtë operacion, Renault do të duhet t’i paguajë një dëmshpërblim Mercedes-it me kompaninë gjermane që ka një kontratë me Lotus për furnizimin me motorë të saj deri në vitin 2016. Në momentin që kjo marrëveshje do të formalizohet, për Red Bull dhe Toro Rosson lind detyra e gjetjes së një furnizuesi tjetër motorësh.

Ndërkaq, nuk kanë munguar reagimet në lidhje me mundësinë e përfshirjes së Renault me një skuadër të saj në Formula 1 dhe një prej atyre që kanë dhënë opinionin e tyre për këtë çështje është edhe Romain Grosjean.

“Si një admirues i Formula 1 dua vërtet të shoh një skuadër franceze në Formula 1 dhe të dëgjoj Marejezën në podium. Rikthimi i Renault do të ishte diëka fantastike dhe do të më tundonte shumë. Do të ishte diçka shumë pozitive të punoja me Alain Prost”, ka thënë Grosjean.

Top Channel