Vizita e Merkel, ja detajet e axhendës së kancelares

03/07/2015 00:00

Kryeministria publikoi këtë të premte detajet e vizitës në Shqipëri të kancelares gjermane Angela Merkel, më 8 korik. Nga të dhënat mësohet se kancelarja do të qëndrojë në vëndin tonë 4 orë e 25 minuta.

Ajo do të mbrrijë të mërkurën në aeropotin “Nënë Tereza” rreth orës 13:50 minuta. Në 14:15 minuta delegacioni gjerman do të mbërrijë në Kryeministri, ku do të zhvillohet një ceremoni mirëseardhjeje.

15 minuta është parashikuar të zgjasë takimi kokë më kokë me kryeministrin Rama, pasuar nga një takim 45 minutësh të dy delegacioneve.

Ndërsa konferenca për shtyp Rama-Merkel do të zgjasë 30 minuta, për t’ia lënë vendin një takimi në Presidencë më kreun e shtetit, Bujar Nishani.

Vizitën në Tiranë, Merkel do ta mbyllë me një fjalë përshëndetëse në Forumin e ekonomisë në Tirana Business Park.

Sipas Endri Fugës, drejtor i Zyrës së Komunikimit në Kryeministri, kjo vizitë e kancelares Merkel në Shqipëri vjen pas ftesës nga kryeministri Edi Rama në takimin që zhvilloi në Berlin.

Fuga u tha gazetarëve se kjo vizitë ka dy aspekte, atë politik dhe rajonal në kuadër të Konferencës Ballkanike të Berlinit, duke konfirmuar se pjesë e diskutimeve do të jetë edhe Kosova.

Kjo është e para vizitë zyrtare e një kancelari gjerman në Shqipëri pas asaj të Gerhard Schroeder në 1999, që ishte në kuadër të vizitës së trupave gjermave të instaluara në ndihmë të refugjatëve nga Kosova.

Top Channel