ISIS, SHBA njofton vrasjen e “emirit të kamikazëve”

03/07/2015 00:00

Bombardimet e koalicionit kanë eleminuar një prej liderëve më të lartë të ISIS-it, Tariq al Harzi, i njohur ndryshe edhe si “emiri i kamikazëve”. Ngjarja ka ndodhur muajin që shkoi, por zyrtarët amerikanë e bënë publik lajmin vetëm tani.

Al Harzi ka luajtur një rol logjistik kyç për Shtetin Islamik, me mbikëqyrjen e përpjekjeve për të dërguar vazhdimisht xhihadistë e armatime në Siri e Irak, duke e mbajtur kësisoj në lëvizje makinerinë e luftës së grupimit të egër terrorist.

Sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes, tuniziani, që besohet të ketë qenë ndër të parët luftëtarë të huaj të bashkuar me ISIS, ka ndihmuar gjithashtu në organizimin e sulmeve vetëvrasëse dhe shpërthimin e autobombave në Irak.

Vrasja e Al Harzit duhet konsideruar një arritje e madhe, mendon eksperti i çështjeve të sigurisë kombëtare, Mike Rogers. Kjo do t’i çorientojë operacionet e Shtetit Islamik, të paktën për një periudhë kohe. Militanti i rrezikshëm është goditur në Shadadi të Sirisë më datë 16 qershor.

Emri i këtij lideri të ISIS figuronte që prej vitit të kaluar në listën e terroristëve më të kërkuar nga Amerika dhe për informacione që mund të çonin në kapjen e tij Departamenti i Shtetit kishte ofruar një shpërblim prej 3 milionë dollarësh.

Sipas Pentagonit, muajin e kaluar edhe vëllai i Al Harzit, Ali Awni, që ishte gjithashtu një operativ i rëndësishëm i ISIS-it, gjeti vdekjen nga një sulm ajror i Shteteve të Bashkuara në Mosul.

Top Channel