Vlorë, nis spërkatja e helmeve kundër karkalecit

03/07/2015 00:00

Vetëm pasi fermerët vlonjatë ngritën shqetësimin për dëmet që po shkakton karkaleci në të mbjellat e tyre është përgjigjur Drejtoria Rajonale e Bujqësisë së qarkut.

Përfaqësues të saj kanë shkuar këtë të premte në zonën e Lumit të Vlorës, ku kanë nisur spërkatjen me helme kundër karkalecit.

Ky insekt, i cili po përhapet në masë të madhe në të gjithë zonën e Lumit të Vlorës, po bën dëme të mëdha në bimë, pemë frutore si dhe në fidanët e sapombjellë.

Drejtori i Bujqësisë së Vlorës, Beqir Kashuri tha, se gjendja është e rëndë pasi janë prekur mbi 100 hektarë tokë me të mbjella dhe se institucioni i tij nuk ka fonde për të luftuar këtë insekt.

Sipas tij, edhe vetë fermerët duhet të kujdesen, pasi karkaleci ka lëshuar vezët e tij dhe duhet një punë e përbashkët për të pastruar zonën.

Ministria e Bujqësisë ka vënë në dispozicion helmet për të luftuar karkalecin, por vetëm është e pamundur për ta shkatërruar tërësisht.

Prej më shumë se 5 ditësh, masa masive karkalecësh po shkatërrojnë çdo gjë që gjejnë para, sidomos bimët jeshile dhe pemët.

Top Channel