Tunizi, homazhe në kujtim të viktimave të terrorizmit

03/07/2015 00:00

Në resortin tunizian të Sousse-s është organizuar një ceremoni e veçantë në kujtim të 38 personave të vrarë gjatë një sulmi terrorist të një jave me parë.

Zyrtarë, turistë e diplomatë nga vendet prej të cilat vinin viktimat, janë ftuar të marrin pjesë në shërbesën që zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. 1.377 efektive të armatosur janë shpërndarë nëpër hotele e plazhe për të garantuar sigurinë e njerëzve.

Deri tani, pas shumë të ndaluarve, autoritetet tuniziane kanë mbajtur në paraburgim 8 persona që dyshohen për lidhje direkte me agresorin 28-vjeçar, Seifeddine Rezgui. Po të premten, një minutë heshtje është mbajtur në të gjithë Anglinë në kujtim të 30 turistëve britanikë që humbën jetën në sulmin e marrë përsipër nga ISIS.

Plazhi i kthyer në teatrin e tragjedisë së përpara një jave, gëlon nga policët. Korrespondentët thonë se njerëzit janë ende thellësisht të tronditur, ndërsa qeveria tuniziane nga ana tjetër, druhet se masakra do t’i japë një goditje shkatërruese industrisë së turizmit, shtylla e tërheqjes së valutës së huaj në vend.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon u betua se personat përgjegjës për këtë fatkeqësi do të gjurmohen e nxirren para drejtësisë.

“Po punojmë me autoritetet tuniziane për të zbuluar saktësisht si u organizua ky sulm, si u planifikua, kush ishte i përfshirë në të? Të jenë të sigurtë të gjithë në Mbretërinë e Bashkuar se do t’i gjejmë autorët, edhe sikur të fshihen në Libi, Siri apo në çdo vend tjetër”, deklaroi Fallon.

Top Channel