Ngec projektligji për letërnjoftimet, kërkohet heqja e amendamentit mbi përkatësinë etnike

03/07/2015 00:00

Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane në Kosovë nuk e ka mbështetur idenë, që qytetarët të identifikohen si shtetas kosovarë në letërnjoftimet e reja dhe të kenë të shkruar përkatësinë etnike.

Me shumicën e votave të deputetëve në këtë komision, projektligji u kthye sërish në Komisionin për Punët e Brendshme dhe Sigurinë, që të hiqet amendamenti që lejonte deklarimin e përkatësisë etnike në letërnjoftim.

Deputeti i Vetëvendosjes në Komisionin për Integrime Evropiane, Ilir Deda tha se, në asnjë mënyrë nuk duhet të pranohet ky amendament, pasi – sipas tij, – është diçka primitive dhe jashtë praktikave evropiane.

“Komisioni për Punët e Brendshme dhe Sigurinë ka pranuar dhe ka përkrahur amendamentin, sipas të cilit përcaktohet identiteti kombëtar në letërnjoftim. Mua po më duket se kjo nuk është zgjidhje e drejtë. Nuk ka asnjë vend të tillë në kontinentin e Evropës dhe nuk është në përputhje me praktikat evropiane, që identiteti etnik të shkruhet në letërnjoftim. Komisioni e ka përkrahur, por ne nuk duhet ta përkrahim këtë, sepse nuk është në përputhje me standardet evropiane, as me praktikat evropiane. Për të mos u shprehur më ashpër, kjo është e prapambetur dhe primitive që t’i detyrosh njerëzit të identifikohen në baza etnike në letërnjoftimin e tyre, është e papranueshme”, tha Ilir Deda, deputet i Vetëvendosjes.

Kundër këtij amendamenti ishin edhe deputetë të koalicionit qeverisës.

“Mendoj, që nuk është e drejtë të bëhen dallime të tilla, siç kanë bërë me këtë amendament. Edhe pse nisma ka qenë, që të mos ketë keqpërdorime në aplikime të ndryshme, sepse këtë rast e shfrytëzon komuniteti më i madh te ne, duke përfituar nga komunitetet e tjera. Kjo ka qenë arsyeja, që e kanë marrë nismën për këtë amendament, por mendoj se ne nuk duhet ta përkrahim këtë pjesë”, tha Luljeta Veselaj-Gutaj, deputete e PDK-së.

“Në asnjë mënyrë, shtetasit e Kosovës nuk guxojnë të identifikohen, jo më të shkruhet me fjalë. Në disa raste kemi pasur të tilla probleme me numra serialë të regjistrimit, ku janë kuptuar se të cilit komunitet janë”, tha Kujtim Baçaku, deputet i “Grupi 6+” të pakicave etnike.

Propozimet e deputetëve i mbështeti edhe kryetarja e komisionit, Teuta Sahatçija, e cila tha se mund ta përkrahin këtë projektligj, por pasi të tërhiqet amendamenti, që përcakton identifikimin etnik të qytetarëve.

Amendamenti, që u refuzua nga Komisioni për Integrime Evropiane, ishte propozim i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i cili kishte marrë edhe mbështetjen e Komisionit funksional për Punët e Brendshme.

Në të gjitha dokumentet e identifikimit dhe të udhëtimit, të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike që kanë, njihen vetëm si kosovarë.

Top Channel