Deputetet nga Serbia dhe Kosova, bashkë në një seancë

03/07/2015 00:00

Në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës është shfaqur filmi dokumentar “Follow Us” i realizuar në Kosovë dhe Serbi, i cili trajton rolin e grave në shoqëri dhe në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nën organizimin e Grupit të Grave Deputete, shfaqja e këtij filmi, mblodhi deputete gra nga Kosova dhe Serbia për të dëshmuar se dialogu pa iniciativë nga Bashkimi Europian është i mundur dhe se bashkëpunimi dhe tolerance në mes të dyja palëve ekziston.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili pasi u uroi mirëseardhjen në gjuhën serbe deputeteve nga Serbia, tha se Republika e Kosovës beson dhe punon në politikat e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit tonë, ku përfshihet edhe Serbinë.

“Republika e Kosovës beson dhe punon në politikat e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtete e regjionit tonë, përfshirë edhe fqinjin tonë verior Serbinë. Mbi bazën e kësaj ne kemi përqafuar platformën e dialogut të vazhdueshme me qeverinë e Serbisë në mënyrë që raportet tona të normalizohen dhe problemet mes nesh të zgjidhen përmes komunikimit dhe marrëveshjeve. Horizonti i këtij dialogu duhet të zgjerohet. Pra, të mos jetë vetëm dialog politik dhe institucional, privilegj i elitave politike, por edhe dialog qytetar dhe kulturor, në fushën e shoqërisë civile”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Por, fjala Republikë e përmendur nga kryetari Veseli nuk i pëlqeu deputetes serbe Maria Obramoviç, deputete kjo që vjen nga partia e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç.

“Më është dashur mjaft punë dhe mund që t’ju drejtohem nga kjo foltore. Kam marrë këtë obligim e po ashtu siç bën edhe kryeministri ynë në Bruksel dhe vërtet e çmoj edhe angazhimin nga ana e juaj. Por ju këtë herë shkelët marrëveshjen që bëmë që të mos përmendet Republika e Serbisë, Republika e Kosovës në adresimin tuaj, ashtu që edhe ne pastaj të thonim se ndodhemi në pjesën jugore të Serbisë. Por po e përfundojmë këtu të bëhemi më tolerantë, ta shohim këtë film me kujdes dhe ta shpërndajmë në shumë vende”, tha Obramoviç, deputetja e parlamentit serb.

Ajo kujtoi se kjo marrëveshje ishte arritur që në vitin 2012, atëherë kur edhe kishin filluar takimet e grave deputete të të dyja shteteve.

Ndërsa, kryetarja e Grupit të Grave Deputete të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e cila ishte ulur në vendin e kryetarit të Kuvendit, tha se projekti i realizuar në mes grave deputete të të dyja vendeve, tregon për guximin dhe vendosmërinë e këtyre grave për të ecur përpara e për të nisur projekte, të cilat ndonëse jo populliste ndihmojnë në avancimin e çështjes së grave, në një jetë më dinjitoze dhe një vend më meritor në shoqëri.

“’Folloë us’ është guxim i grave për të nisur projekte jo populiste. Prandaj sot është një ditë reflektimi e angazhimi për sfidat që kemi përpara, meqë sot nis një qasje ndryshe për të zgjedhur problemet tona të përbashkëta. Të prekim tema të vështira dhe të ndjeshmetë të dy shteteve në mënyrë që të gjejmë pika të përbashkëta të të dyja shteteve në mënyrë që të vendosim urat e bashkëpunimit në mes nesh”, u shpreh kryetarja e Grupit të Grave Deputete të Kosovë.

I pranishëm ishte edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, mision ky që edhe ka ndihmuar financiarisht këtë projekt. Ai tha se gratë deputete të të dyja vendeve kanë dëshmuar se kur ka vullnetproblemet ekzistuese mund të tejkalohen dhe dialogu mund të zhvillohet.

Top Channel