Turi i Francës, nga e shtuna në Top Channel. Ja kush janë 4 favoritët…

03/07/2015 00:00

Këtë vit e kanë quajtur “Turi i yjeve”. Gara më e famshme e çiklizmit botëror, Turi i Francës, do të ofrojë në edicionin e 102-të një duel spektakolar mes më të mirëve të botës.

Katër janë favorit të mëdhenj që nga e shtuna do vihet në duel me njëri-tjetrin për t’u bërë pjesë e historisë e një prej sporteve më të vjetër.

Alberto Contador, Nairo Quintana, Vincenzo Nibali dhe Chris Froome, janë 4 emrat më të rëndësishëm mes 198 çiklistëve që do të marrin pjesë në edicionin e këtij viti të turit.

Së bashku ata kanë fituar 14 evente të mëdhenj dhe sa e sa etapa mes Xhiros së Italisë, Xhiros së Spanjës dhe Turit të Francës. Për herë të parë, 4 çiklistët ndodhen të gjithë bashkë në garën më të rëndësishme.

Të shtunën do të zhvillohet etapa e parë, një rekord më vete. Për herë të 6 turi nis nga Holanda, këtë radhë do të jetë qyteti i Utreht. Do të jetë një etapë e shkurtër kronometri prej 13.8 kilometrash, por është vetëm fillimi i një turi që do të ketë 21 etapa dhe plot 3360 km. Turi i Francës do të mbyllet si gjithmonë në Paris në xhiron e fundit në Champs-Elysees.

Historia tregon se asnjëherë nuk kanë qenë 4  favoritë për fitoren e turit, 4 çiklistë me cilësi të ndryshme, me eksperiencë mbi supe dhe  të gjithë e njohin mirë njëri-tjetrin.

I pari në listë qëndron italiani Nibali, fituesi në fuqi i turit, ai që triumfoi në 2014-n.

I dyti, Alberto Contador, spanjolli që 1 muaj më parë fitoi Xhiron e Italisë për herë të dytë. Ai ka fituar edhe 2 herë të tjera Turin e Francës dhe është më i vjetri mes favoritëve.

I treti qëndron Nairo Quintana, kolumbiani shumë i fortë në malore, fitoi Xhiron e Italisë në 2014-n.
Ndërsa i katërti është Chris Froome, anglezi që fitoi në 2013-n Turin e Francës.

Pas startit në Holandë, gara do të kalojë edhe në Belgjikë dhe më pas do të hyjë në Francë.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur java e parë ishte për çiklistët e fortë në finish, këtë radhë maloret do të fillojnë shpejt, që në ditët e para, për t’i detyruar çiklistët të nxjerrin ‘armët’ e tyre të forta që në fillim.

Turi i Frances, që nga e shtuna do të transmetohet çdo ditë në Top Channel në orën 15:35.

Top Channel