Benitez, me sytë nga Juve. Llorente dhe Vidal kërkohen nga Reali

03/07/2015 00:00

Trajneri i Realit të Madridit, Rafael Benitez hedh sytë nga Juventusi. Sipas asaj që publikohet në median spanjolle, skuadra “merengue” së fundmi ka vënë në shënjestrën e saj Fernando Llorente dhe Arturo Vidal.

Muajt e fundit, Llorente ka hasur vështirësi të mëdha në gjetjen e hapësirave në skuadër, kjo edhe për shkak të formës së mirë të Alvaro Moratës. Situata për 30-vjeçarin përkeqësohet akoma më shumë me ardhjen e Dybalas, Mandzukic apo Zazës, që do të thotë se për Llorenten nuk mbetet alternativë tjetër veç pankinës.

Benitez do të kërkojë të përfitojë nga situata për ta pasur atë në skuadër. Teknikut spanjoll i duhet një lojtar i motivuar për të bërë mirë, por më shumë ai e dëshiron për aspektin taktik. Benitez ka nevojë për një qendërsulmues të vërtetë, që të jetë në gjendje të depërtojë në mbrojtje, por edhe të ndihmojë lojtarët e tjerë të repartit të avancuar brenda zonës.

Juventus e vlerëson Llorenten 12 milionë euro, por te Reali e dinë që kjo shifër mund të ulet dhe ofrojnë 8 milionë. Shumë shpejt do të zhvillohet një takim mes drejtuesve të Juventusit dhe të Realit për të gjetur marrëveshjen për transferimin e Llorentes në Madrid.

Përsa i përket Vidal, duket se gjërat kanë përparuar më shumë. Sipas asaj që publikohet te “Sport”, për kilianin duket se është arritur një marrëveshje për nënshkrimin e një kontrate 5-vjeçare, ndërkohë që vazhdon të diskutohet për vlerën e kartonit të mesfushorit. Juventus kërkon 30 milionë euro, ndërsa Florentino Perez shpreson të paguajë diçka më pak se kjo shifër.

Top Channel