“Turi i Francës 2015”, Utrehti bëhet gati për garën

03/07/2015 00:00

Utrehti tashmë është gati për të pritur startin e Turit të Francës së këtij viti. Qyteti holandez, që ka hartuar një program me 150 aktivitete, parashikon të presë këtë fundjavë 600-800 mijë turistë.

Kjo është hera e gjashtë që Turi i Francës nis nga Holanda. Më parë, ky aktivitet ka nisur në Roterdam, Den Bosh, Lajden, Sheveningen dhe Amsterdam. “Arsyeja që Holanda është përzgjedhur disa herë si vendi ku ka startuar Turi i Francës ka të bëjë me faktin se ky vend është shumë i lidhur me sportin e çiklizmit”, thotë Natalia Talish, përgjegjësja për marrëdhëniet me median e organizatorëve të Turit të Francës në Holandë.

Sipas saj, Turi i Francës është një ngjarje që po përjetohet shumë, si në Utreht, ashtu edhe në të gjithë Holandën. Në qytetin e Utrehtit do të zhvillohen dy etapat e para të këtij turi.

Të shtunën do të zhvillohet etapa e kronometrit individual, 13.7 km e gjatë, në rrugët brenda qytetit, ndërsa të dielën çiklistët do të nisin etapën tjetër, 166 km e gjatë, për ta mbyllur atë në qytetin Zelande. Çiklistët do të vazhdojnë më pas garimin e tyre në Belgjikë, ku janë parashikuar të mbahen dy etapa të tjera, përpara se ata të hyjnë në territorin francez.

Edicioni i 102-të i Turit të Francës do të përfundojë më 26 korrik, në Paris.

Top Channel