Moscovici: ‘Jo’-ja do të ishte sinjal për përçarësit e BE-së; BQE mund të lirojë fonde nëse votohet ‘Po’

03/07/2015 00:00

Një votë “Jo” në referendumin e së dielës në Greqi, kundër masave shtrënguese dhe ndihmës për ta shpëtuar vendin helen nga falimenti,  do të dërgonte sinjale negative dhe do të shfrytëzohej nga personat që dëshirojnë të shpërbëjnë Europën.

Ky është paralajmërimi i lëshuar këtë të premte nga Komisioneri i Bashkimit Europian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici. Dy ditë përpara votimit, Moscovici ka bërë fushatë në favor të votës “Po” të grekëve ndaj programit të shpëtimit të huadhënësve ndërkombëtarë.

Në një postim të gjatë në “blog”-un e tij personal, Moscovici nënvizoi se, vota “Jo” “do t’i dërgonte një mesazh negativ pjesës tjetër të Europës, gjë të cilën disa dashakeqës mund ta shfrytëzojnë me lehtësi për të shpërbërë shtëpinë tonë të përbashkët”, e shkruar në frëngjisht.

Nga ana tjetër, vota “Po” sipas tij do të “lehtësonte bisedimet” dhe do të krijonte “një terren gjithëpërfshirës” për të rifilluar negociatat me palën greke.

Një tjetër reagim në favor të votës “Pro” ka ardhur edhe nga zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Europiane, Vitor Constancio, i cili tha gjatë kësaj të premteje se BQE-ja mund të lirojë fonde për bankat greke, nëse populli grek voton këtë alternativë në referendumin e së dielës.

Constancio shtoi se rëndësia e referendumit është në faktin e të bërit më shumë ose më pak të mundshme arritjen e një marrëveshjeje mbi dhënien e ndihmës financiare ndaj Greqisë.

“Asgjë tjetër nuk është e rëndësishme për ne”, tha ai në një konferencë për shtyp pas fjalimit.

Në referendum, grekët do të vendosin nëse janë në favor të propozimeve “parà në këmbim të reformave” të bëra prej huadhënësve ndërkombëtarë të Athinës (që tashmë kanë skaduar), por kjo alternativë kundërshtohet nga qeveria e radikalëve të majtë, të cilët ftojnë votuesit t’i refuzojnë.

“Nëse rezultati i referendumit do të jetë ‘Jo’-ja, atëherë do të jetë edhe më e vështirë që të arrihet një marrëveshje e tillë”, shtoi Constancio, gjë që sipas tij do të kishte pasoja edhe në analizat dhe vendimmarrjen e BQE-së.

Anëtari i këshillit të politikave të BQE-së, Josef Bonnici, bëri të ditur gjatë së enjtes se institucioni drejtues i financiave do të marrë në konsideratë rezultatin e referendumit përpara se të vendosë në lidhje me dërgesat e ardhshme të likuiditetit, për të cilat bankat greke kanë shumë nevojë në mënyrë që të mbeten në normalitet, për shkak të fluksit të madh të tërheqjeve gjatë javëve të fundit.

Top Channel