ISIS, Turqia përforcon kufirin me Sirinë. Por, nuk pritet ndonjë inkursion

03/07/2015 00:00

Turqia ka dërguar trupa shtesë dhe mjete ushtarake përgjatë kufirit të saj me Sirinë, teksa janë intensifikuar luftimet në Veri të qytetit të Aleppos, por kryeministri Ahmet Davutoglu ka thënë se ende nuk ka asnjë plan për inkursione të mëtejshme.

Ankaraja ka marrë në shqyrtim krijimin e një “zone sigurie” në territorin sirian, për shkak të shqetësimeve në lidhje me avancimet e kurdëve të Sirisë dhe pranisë së militantëve të Shtetit Islamik, ashtu sikurse edhe të një vale të re të mundshme të refugjatëve, të cilët priten t’i largohen konfliktit.

Burime të sigurisë dhe zyrtarë nga kryeqyteti Ankara thanë se ushtria turke ka përforcuar sigurinë e vendit, duke dërguar madje edhe forca speciale përgjatë kufirit për shkak të luftimeve të ashpra.

Forcat qeveritare siriane kanë ndërmarrë sulme ajrore gjatë së premtes kundër pozicioneve të rebelëve, brenda dhe jashtë Aleppos, qytet që ka qenë në qendër të ofensivës së kryengritësve për të shtënë në dorë zonat e kontrolluara prej forcave të Presidentit Bashar al-Assad.

“Është gjëja më normale, që ne kemi marrë masa sigurie në mbrojtje të territorit dhe kufinjve tanë. Nëse në ndonjë rrethanë, përgjatë kufirit tonë, do të kërcënohet siguria e Turqisë, atëherë do të veprohet dhe urdhrat tashmë janë të qartë dhe të dhëna”, tha Davutoglu për një televizion turk.

“Por, askush nuk duhet të presë që Turqia të futet në territorin e Sirisë nesër, apo në ditët e ardhshme”, tha ai. Disa medie kanë spekuluar se një operacion përtej kufirit është thuajse i paevitueshëm. “Gabojnë ata që mendojnë se Turqia duhet të ndërmarrë një hap të tillë të njëanshëm, për ndërhyrje të menjëhershme, për sa kohë që nuk ekziston një rrezik i tillë”, tha Davutoglu.

Top Channel