Lazarat, gjendet arsenali i armëve që u përdor për sulmin ndaj policisë

03/07/2015 00:00

10 ditë pas sulmit me armë ndaj forcave të policisë në Lazarat, ku mbeti i vrarë efektivi i forcave RENEA Ibrahim Basha dhe u plagosën dy kolegë të tij si dhe 6 ditë pas arrestimit të Arbion dhe Alban Alikos, dy personave të dyshuar si organizatorë të sulmit, pasditen e së premtes, Policia e Shtetit ka zbuluar vendin se ku ishin fshehur armët me të cilat u krye ky sulm.

“Në afërsi të shkollës së mesme, rreth 50 metra larg vendit nga u sulmua policia, në një pusetë uji, është evidentuar arsenali i armëve. Brenda pusetës janë evidentuar armë të rënda e të lehta, si dhe municione luftarake”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Bëhet fjalë për një arsenal të madh armësh dhe municionesh, duke nisur që nga automatikët AK47, mitrolozët e rëndë, predha, granatahedhës e një sasi e madhe municioni me të cilin mund të vijonte një përballje mes grupit të armatosur dhe policisë për ditë të tëra.

Ndërkaq, menjëherë pas zbulimit të vendit ku ishin fshehur armët, gupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje, ku ka nisur punën për nxjerrjen dhe administrimin e municionit, i cili më pas do të dërgohet në Laboratorin e Policisë Kriminale për të provuar nëse kanë qenë pikërisht këto armë me të cilat është qëlluar orët e para të datës 24 qershor dhe cila prej tyre është arma që i ka marrë jetën efektivit Ibrahim Basha.

Gjithashtu, pritet që nga gjurmët e gishtave që mund të gjenden në këto armë, të dokumentohet dhe shkencërisht se nga kush janë përdorur këto armë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel