Kosovë-Shqipëri, avancim për tregje të unifikuara

03/07/2015 00:00

Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, priti këtë të premte në një takim pune, në Prizren, homologun e tij shqiptar, Shkëlqim Cani.

Ata biseduan për marrëveshjet e arritura në mbledhjen e dy qeverive të zhvilluar në mars të këtij viti, në veçanti për punën e grupeve punuese në fushën e doganave dhe administratave tatimore.

“Roli i Ministrive të Financave, në të dy anët e kufirit, është kyç për të siguruar unifikimin e tregjeve, sepse janë promotorë edhe të fushave të tjera. Besoj se, kemi arritur të identifikojmë plot barriera, që i kanë ndarë tregjet deri më tani. Disa prej tyre, sapo kanë filluar të marrin rrugë, ndërsa për të tjerat, besoj se duhet të biem dakord për një plan kohor, sesi t’i tejkalojmë ato. Gjithashtu, besoj se konkluzionet prej këtij takimi do të jetë një plan pune, i ndryshëm prej atij që kemi pasur në tre muajt e fundit. Më pas, grupet tona të punës do të na ofrojnë hapat konkretë, që duhet të ndërmarrim në të dy anët e kufirit, nga të dyja ministritë, për të unifikuar përfundimisht ekonomitë tona dhe për të krijuar sinergjinë, për të cilën kemi nevojë të dy shtetet”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave në Kosovë.

“Në fakt, publiku shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri pret çështje konkrete, që ai që paguan taksën të marrë edhe përfitimin, nga puna e përbashkët e dy ministrive. Këtu, ndoshta nuk i kishte ardhur plotësisht koha, ndoshta edhe ne nuk paskemi bërë kujdesin e duhur, në mënyrë që gjithkush të marr përfitimet e veta. Ne, të gjitha objektivat që vendosëm i kemi realizuar, si në dogana, ashtu edhe në tatime. Por, gjithnjë na ngelet ndonjë gjë e vogël, në mënrë që të arrihet atje ku duhet, me detyrën tonë”, tha Shkëlqim Cani, ministër i Financave në Shqipëri.

Në mbledhjen e 23 marsit, me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, të mbajtur në Tiranë, qeveritë e të dyja vendeve u pajtuan për një sërë çështjesh. Disa prej tyre janë nxitja dhe krijimi i lehtësirave në tregtinë e mallrave, forcimi i bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm, bashkëpunim të ndërsjelltë në fushën e sigurisë dhe memorandume bashkëpunimi mes ministrive të të dyja vendeve.

Top Channel