Assange kërkon azil, Franca ia refuzon brenda më pak se 60 minutash

03/07/2015 00:00

Franca ka refuzuar me shpejtësi një kërkesë për azil të themeluesit të “Wikileaks”, Julian Assange, gjatë kësaj të premteje, edhe pse ky i fundit kishte bërë apel drejtpërsëdrejti te Presidenti Francois Hollande, disa ditë pasi “Wikileaks” publikoi dokumentet që tregonin se Shtetet e Bashkuara kishin spiunuar tri presidentë radhazi të Francës, përfshi edhe vetë Hollande.

“Jeta ime është në rrezik”, kishte shkruar Assange në një letër drejtuar Presidentit socialist, e cila u publikua nga gazeta franceze “Le Monde”. “Franca është i vetmi vend, që mund të më ofrojë mua mbrojtjen e nevojshme kundër persekutimit politik me të cilin përballem”.

Assange ka jetuar përgjatë 3 viteve të fundit në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku ai siguroi strehim si azilant për të shmangur ekstradimin nga Britania drejt Suedisë për shkak të akuzave për krime seksuale.

Ai, në fakt, nuk iu frikësohet edhe aq shumë këtyre akuzave, sesa faktit që Suedia mund ta ekstradojë atë drejt Shteteve të Bashkuara, ku ai mund të dalë përpara gjyqit për publikimet e bëra në “Wikileaks” të qindra dokumenteve të klasifikuara të diplomacisë botërore.

Më pak se një orë pasi ishte publikuar letra e tij në faqen e internetit të “Le Monde”, zyra e Presidentit Hollande lëshoi një deklaratë, ku thuhej se kërkesa për azil është refuzuar.

“Franca ka marrë një letër prej Assange dhe, pas shqyrtimit me imtësi, nga pikëpamja e elementëve juridikë e materialë të situatës së Assange, Franca nuk mundet t’i ofrojë atij azil”, lexohej në deklaratë. “Situata e Assange nuk paraqet ndonjë rrezik të menjëhershëm. Ai nuk është objektiv i ndonjë urdhërarresti europian”, theksohej më tej në të.

Assange kishte shkruar në letër se, fëmija më i vogël i tij ishte francez dhe e tillë ishte edhe e ëma. “Nuk kam mundur t’i shoh ata këto 5 vite, që kur nisi persekutimi politik ndaj meje”, shkruan ai, duke shtuar se kishte mbetur “tepër i prekur”, kur kishte mësuar se ministrja franceze e Drejtësisë, Christiane Taubira, kishte bërë thirrje që Franca t’i ofronte atij azil.

Publikimet në “Wikileaks” të dokumenteve ushtarake dhe diplomatike të klasifikuara, rreth 5 vite më parë, irrituan Uashingtonin dhe kritikët thanë se ato dëmtuan e rrezikuan të shkatërronin sigurinë e Shteteve të Bashkuara, duke vendosur në rrezik edhe shumë jetë njerëzish. Ndërkohë, mbështetësit e tij thanë se, nëpërmjet atij akti, Assange ekspozoi sekretet qeveritare, të cilat publiku ka të drejtë t’i dijë.

Top Channel