Rama: E turpshme alibia e disfatës që Basha tregon nëpër botë. Basha: E turpshme është të poshtërosh popullin tënd

03/07/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Twitter, reagoi ndaj vizitës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Vjenë, ku u takua me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier dhe prezantoi problemet që sipas tij, minuan besimin e zgjedhësve të vota e lirë më 21 qershor.

“E turpshme alibia e disfatës që Lulzim Basha bredh ta tregojë nëpër botë si provë kundër zgjedhjeve. #VajmedetPD me kokoshin që të katandisi një thelë”, shkruan Rama në rrjetin social.

Nëpërmjet rrjeteve sociale erdhi edhe reagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Me anë të një postimi në Facebok, kryetari i opozitës nënvizoi se është turp që në zgjedhjet e 21 Qershorit kandiduan “kriminelë e trafikantë”.

“E turpshme është të poshtërosh popullin tënd duke kandiduar kriminelë e trafikantë dhe mos t’i tërheqësh edhe kur ta kërkon publikisht mbarë bota demokratike. E turpshme dhe kriminale është të kërcënosh kandidatët, opozitën dhe zgjedhësit. E turpshme është të urdhërosh drejtorët e administratës të mbushin kutitë e votimit. E turpshme dhe e pafalshme është të krekosesh si gjeli majë plehut, ndërkohë që ke zhytur shqiptarët në pasiguri dhe krizë ekonomike”, shkruan Basha.

Top Channel