Kosovë, shpërblehen financiarisht medalistët e Lojërave Olimpike të Bakusë

03/07/2015 00:00

Fituesja e medaljes së bronztë olimpike, Nora Gjakova, bashkë me disa pjesëmarrës të tjerë në Lojërat Olimpike Evropiane, që janë mbajtur në Baku të Azerbajxhanit, është pritur nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.

Me këtë rast iu dha shpërblimi, sipas rregullores “për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët, që arrijnë rezultatet të rëndësishme në garat ndërkombëtare”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala tha se, pjesëmarrja e sportistëve nga Kosova është përcjellë me vëmendje nga sportdashësit dhe më gjerë se kaq.

Ai shtoi gjithashtu se, rezultatet nuk arrihen për një ditë dhe se, këto gara kanë zbuluar mundësitë, favoret dhe mungesat, që ka shteti i Kosovës.

Fituesja e medaljes së parë olimpike për shtetin e Kosovës, Nora Gjakova deklaroi se, kjo medalje ka ardhur në momentin e duhur dhe se, ata dëshmuan që vendi ynë ka mundësi të mëdha për arritje ndërkombëtare.

Sipas saj, fakti që puna e tyre po shpërblehet edhe në mënyrë financiare është shenjë pozitive, sepse sportistët, përveç kënaqësisë shpirtërore kur fitojnë medalje, ndiejnë tjetër kënaqësi kur ajo shpërblehet edhe në mënyrë financiare.

Përveç Nora Gjakovës, me shpërblime u nderuan edhe boksierja e përfaqësueses së Kosovës, Donjeta Sadiku, e cila fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë e të rinjve, duke u renditur si boksierja e dytë në botë në kategorinë e saj.

Top Channel