AMA intensifikon aksionin kundër piraterisë. Gjobiten 23 subjekte

03/07/2015 00:00

Autoriteti i Mediava Audiovizive (AMA) ka intensifikuar aksionin kundër piraterisë dhe aktiviteteve të palicencuara audiovizive. Gjatë muajve të fundit, AMA ka kryer 35 inspektime, kryesisht në Qarkun e Korçës, ku janë ndëshkuar me gjobë 23 subjekte, ndërsa për 8 vijon procedura administrative.

Ndërsa janë bllokuar dy aktivitete të palicencuara, duke proceduar me inventarizimin dhe sekuestrimin e pajisjeve të përdorura për ushtrimin e aktivitetit të palicencuar.

“Aksioni i AMA-s do të vijojë intensivisht edhe në ditët në vijim. Në fokus do të jetë ushtrimi i aktivitetit të palicencuar, kur afati i vlefshmërisë së licencës, apo autorizimit ka përfunduar dhe ajo nuk është rinovuar, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë në lidhje me të drejtat e transmetimit dhe të drejtave të tjera mbështetëse”, thuhet në një njoftim të këtij institucioni.

Njëkohësisht, AMA ka përfunduar identifikimin e të gjithë subjekteve debitorë, të cilët nuk kanë shlyer detyrimet e tyre financiare ndaj AMA-s dhe brenda afateve ligjore në fuqi dhe ndaj tyre ka filluar procedura e heqjes së licencës.

Top Channel