Mes së ardhmes së një aventurieri dhe aventurës me të ardhmen

04/07/2015 00:00

Nga Arben Manaj – Plebishiti grek i së dielës ndodhet përpara dilemës hamletiane: Të jesh apo të mos jesh në euro!

Argumenti se një Jo forcon pozitën negociuese, kur atë e kishte marr Kryeministri grek në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe me atë kartë erdhi në pushtet, që ai e shpërdoroi, është veçse të fshihesh pas gishtit!

Greqia është çarë më dysh nga sondazhet, por vendi mund të çahet akoma, jo figurativisht, nëse do i shkelet syri aventurës së radikalëve të majtë grekë, që veprojnë në praktikë dhe retorikë të kamufluar, si misionarë të revolucionit proletar në luftën e dështuar me kapitalizmin e egër ndërkombëtar.

“Çe Guevara” grek, me një mendjelehtësi të papërfytyrueshme dhe akrobacitë që po e izolojnë atë dhe fatkeqësisht vendin që përfaqëson, gjithnjë e më shumë me partnerët europianë, është duke e afruar më shumë në kohë Armagedonin financiar.

Si lider i kohës së krizës, Cipras u zgjodh me premtimin paradoksal (e njohur ndryshe si gënjeshtër) se do të nxirrte vendin nga kriza dhe do e fuste atë në rrugën e rigjallërimit ekonomik.

Faktet, pas gjysmë viti të vështirë në pushtet, tregojnë të kundërtën: një agoni akoma më të madhe në dramën greke.

Kryeministri dhe ministri dogmatik shpesh i bezdisur grek i Financave, kanë shpërdoruar në mënyrë spektakolare një shans të madh, që vendi i tyre të ecte në drejtim të kundërt me humnerën, duke u sjellë vetëm pak më ndryshe diplomatikisht me homologët e tyre dhe larg megalomanisë së një “vendi djep të demokracisë”, duke marrë faktikisht peng të ardhmen e një kontinenti të tërë me taktikat e tyre absurde negociuese, që veçse serioze dhe të sofistikuara nuk kanë qenë, deri në minutën e fundit të dëshpërimit të tyre dështues dhe vetëdemaskues.

Pozita e palakmuar e Greqisë, për shkak të stilit negociues dhe luhatjeve fëmijërore të qeverisë diletante greke në blofet me kreditorët, nuk do të ishte e atillë, nëse do të luanin lojën e qengjit të mirë që pi në dy nëna.

Për shkak se janë në atë pozitë të pafavorizuar, edhe pse të favorizuar historikisht me gjenerozitet pa limit nga europianët e tjerë, do të duhej të ishin shumë më finokë dhe më pak sfidues në negociata, duke mos harruar ose duke spekuluar më saktë, me faktin se ishin të gjithë në një avion dhe pilotët kredidhënës, si në çdo avion civil, nuk kanë parashutë dhe fati i tyre tragjik është i përbashkët.

Por ata e humbën këtë shans, e nëse e bën nga mungesa e eksperiencës apo nga dinakëria greke, kjo mbetet të shihet e do të jetë, gjithsesi, sërish nënprodukt i asaj që votuan në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Përzgjedhja e grekëve, kësaj here është shumë e qartë, në një logjikë të ftohtë.

Një konfirmim i politikave të deritanishme të Kryeministrit grek dhe Syriza-s, ka më shumë gjasa ta shndërrojnë Ciprasin në Hugo Çavez e Greqinë në një Venezuelë pa naftë …

Një Po në referendum (nëse bëhet të dielën e nëse nuk anulohet në minutën e fundit, siç spekulohet, çka do të ishte një çmenduri tjetër greke), do të ofronte një shans më shumë që grekët të riafirmonin orientimin e tyre europian dhe të shtonin shumë shanset që një qeveri e re, faktikisht jo ajo e Ciprasit, të ishin negociatorët e rinj të interesave greke.

Këto interesa nuk mund të mbrohen nga dhrahmia e nga ithtarët e saj në dëshpërim, pasi do të ishte një vetëvrasje kolektive dhe agoni e tmerrshme, për grekët në radhë të parë dhe të tjerët po ashtu.

E meqë jemi te të tjerët, europianët e marrë peng nga politika e Ciprasit përmes shantazhimit që i bën BE-së, janë më të mbrojtur, pasi besohet se institucionet financiare dhe bankare europiane janë në raundin e dytë të krizës greke, shumë më të parapërgatitur për të shmangur efektet e shpërthimit të venave në organizmin e tyre.

BE-ja dhe bankat e vendeve të mëdha kanë ngritur tashmë fireëall-et e domosdoshme për një impakt më të vogël nga Grexit-i potencial, nëse humbet logjika e shumicës së grekëve.

Euro është e dobët pa dyshim, pasi është duke u tregtuar në nivelin më të ulët të jetës së saj 12-vjeçare kundrejt dollarit.

Por Grexit-i ka më pak gjasa të shkaktojë një krizë të ngjashme me atë që solli dështimi i Lehman Brothers në 2008-n.

Por do të jetë faktikisht pak më problematike se në rastin e Qipros, dy vjet më parë, e cila pranoi kushtet e kreditorëve, duke mbyllur nëse u kujtohet, bankën e dytë më të madhe, në shkëmbim të një huaje emergjente.

Madje, nga këndvështrimi britanik, për hir të argumentit, kriza greke është lojë në duart e Kamerunit, i cili po bën fushatë për reformë.

Fakti që udhëheqësit e BE-së dhe ata më influencuesit, si emri alergjik për të majtët grekë dhe jo vetëm ata, Angela Merkel, kërkuan që të presin referendumin e së dielës, është shprehje e mesazh i qartë se ata nuk duan të bisedojnë me një Kryeministër jokredibël, me të cilin mund të puthen në Bruksel, por sapo mbërrin në Athinë, ai për nevojat e brendshme politike, shan me libër shtëpie tërë elitën e Brukselit dhe institucionet kredidhënëse.

Ndaj përzgjedhja është e qartë: një “Oqi” për Ciprasin, që do të duhet të mos jetë më negociatori i ardhshëm grek ose një “Ne” për një qasje të ndryshme nga ajo e gjashtë muajve të fundit, që përkundër asaj që u deklarua, e afroi më shumë Greqinë me humnerën.

Europa qartazi nuk kërkon të negociojë me kalibrin e politikanëve të sojit të Ciprasit dhe kuajt e karrocës së betejës së grekëve për mbijetesë, pasi e atillë është situata, lipset të ndryshohen.

Opsioni është shumë i deshifrueshëm. Greqia do të duhet të përzgjedhë mes së ardhmes dhe mbijetesës së një aventurieri politik apo aventurës me të ardhmen e mbijetesës së disa brezave.

Kapërcyelli mes së dielës dhe së hënës do të ofrojë përgjigjen e ankthit paneuropian.

Top Channel