Festa e Pavarësisë, Nishani uron Obaman: Ne nuk e harrojmë ndihmën e SHBA-së

04/07/2015 00:00

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, për Ditën e Pavarësisë.

“I nderuar Zoti President, përvjetori i 239-të të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës më jep kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet me të mira e të sinqerta për Ju dhe popullin mik amerikan.

Kjo ditë e veçantë për vendin tuaj më jep gjithashtu mundësinë që, në emër edhe të të gjithë qytetarëve shqiptarëve të rishpreh mirënjohjen më të thellë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për pavarësinë, mbështetjen e proceseve demokratike dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë edhe ndihmën e madhe që Shtetet e Bashkuara dhanë për fitimin e pavarësisë së Kosovës, duke i bërë qytetarët e saj të ndihen të lirë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor të çlirohet nga konfliktet etnike.

Falë mbështetjes thelbësore të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria përmbushi kriteret dhe standardet e nevojshme dhe që prej disa viteve është anëtare e NATO-s, duke u rreshtuar me krenari përkrah SHBA-se dhe vendeve të tjera të Aleancës.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten të një rëndësie parësore dhe strategjike për vendin tim dhe për këtë arsye sot jemi më të vendosur se kurrë për t’u rreshtuar krah jush në përballimin e luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ISIL-it”, përfundon urimin Presidenti Nishani.

Top Channel