Kina e shqetësuar për Greqinë, interesohet për zgjidhje apo për dështimin e BE-së?

04/07/2015 00:00

Nëse kërkoni një këndvështrim ndryshe të krizës së borxhit në Europë, atëherë merrni parasysh faktin që aksionet kineze kanë rënë me një vlerë 10 herë sa GDP-ja  e Greqisë, thotë ekonomisti Joshua Keating.

Për standardet kineze, hallet e Greqisë duken të vogla. Megjithatë, Pekini vazhdon t’i ndjekë me shqetësim zhvillimet e kësaj fundjave, kryesisht për faktin se po nuk u zgjidh situata e Greqisë, atëherë pasojat do t’i vuajnë edhe ekonomi të tjera anëkend Bashkimit Europian, partneri më i madh tregtar i Kinës.

Mundesia e nje “Grexit”-i, e kolapsi të dorëzanisë, u ka dhënë jetë spekullimeve se Pekini mund ta kthejë situatën në favorin e tij. Kina u ka dhënë hua edhe më parë vendeve që kanë falimentuar për shkak të borxheve të tyre, kryesisht në Amerikën Latine, dhe mund ta shohë këtë si një moment për të nxjerrë avantazhe politike duke ndërhyrë aty ku Europa dështon.

Dhe nëse historia na mëson diçka, atëhere Kina ka për të qenë shumë më pak e interesuar se blloku europian për reformimin e qeverisjes në Greqi, apo ndryshimit të politikave të brendshme ekonomike, përsa kohë Athina do të angazhohet të verë në jetë politika avantazhuese për tregtinë kineze, e mbase edhe të ndjekë një kurs pro Pekinit në arenën ndërkombëtare.

Më herët, edhe gazetarja e BBC-së, Carrie Gracie , e specializuar në çështjet e vendit komunist, ka lënë të kuptohet në analizat e saj se marrëdhëniet më të ngushta me Athinën do të ishin të favorshme për Kinën, që kërkon të ndërtojë një korridor të ri e mjaft ambicioz tregtar nga Azia Qendrore e Jugore në Mesdhe dhe Europë.

Se nga anon pastaj peshorja e këtyre perfitimeve me hedhjen e miliarda dollarëve në abisin e borxhit grek, kjo është një çështje tjetër. Ka pasur edhe spekullime që profetizojnë një hyrje dramatike të Rusisë në skenën e dramës greke. Kremlini ka dhënë hua edhe më parë në Mesdhe. Në 2011-n i dha Qipros 2.5 miliardë euro ndihmë emergjence dhe pavarësisht vështirësive të brendeshme financiare, ai ende ka 350 miliardë dollarë rezervë për ndërhyrje jashtë kufijve, të cilat nuk është çudi t’i përdorë për të blerë ndikim e për të minuar unitetin europian.

Top Channel