Presidentja Jahjaga shtron iftar: Të promovojmë tolerancën

04/07/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga të premten shtroi iftar për gratë anëtare të Departamentit të Gruas në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tyre, të udhëhequra nga Besa Ismaili, Prodekane në Fakultetin e Studimeve Islame.

Në një fjalë rasti,  Presidentja Jahjaga tha se kjo darkë  ka për qëllim nderimin dhe respektin për gratë e Fakultetit të Studimeve Islame, që kanë marrë rol aktiv në jetën e përditshme për të ndërtuar një shoqëri demokratike e tolerante, në harmoni me vlerat tona kulturore dhe kombëtare.

“Feja në Kosovë është pjesë e traditës sonë të pasur që tashmë po bëhet shembull gjithandej nëpër botë, e cila po sfidohet nga probleme të shumta. Për ne në Kosovë harmonia ndërfetare është e natyrshme sepse jetëgjatësia e saj në këto troje daton me shekuj.” tha ndër të tjera presidentja Jahjaga.

“Kosova duhet t’iu qëndrojë besnike vlerave që e përcaktojnë dhe në këtë rrugëtim të gjithë kemi kontribut për të dhënë”, citohet të ketë thënë presidentja Jahjaga, në një njoftim që vjen nga zyra e saj.

Top Channel