Sulmi në Lazarat, arrestohet një tjetër person për përkrahje të autorëve

04/07/2015 00:00

Një tjetër person është arrestuar lidhur me sulmin në Lazarat, ku humbi jetën efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha. Burime zyrtare bëjnë të ditur se është vënë në pranga Baki Gjini, 21 vjeç nga Lazarati.

Ai dyshohet për përkrahje të autorëve të sulmit me armë mbi policinë. Sipas burimeve zyrtare, Gjini ka tentuar të fshehë në një vend më të sigurt armët e krimit të përdorura nga autorët. Këta të fundit i kishin futur armët në një pusetë uji në Lazarat.

“Armët dhe municionet janë gjetur dhe sekuestruar gjatë ditës së djeshme në Lazarat të fshehura në një pusetë uji nga autorët e sulmit me armë mbi policinë”, bënë të ditur burime zyrtare.

Baki Gjini ka tentuar të fshehë Barjam Bocin, 22 vjeç, për të cilin Prokuroria për Krime të Rënda ka lëshuar urdhër-ndalimi si autor i dyshuar për ngjarjen.

Gjithashtu, Gjini ka tentuar të fshehë në një vend më të sigurt disa armë të fshehura nga një person në kërkim, në afërsi të shkollës së mesme në Lazarat, në një pusetë uji, armë që dyshohet se janë përdorur ditën e sulmit ndaj policisë.

Një mitraloz të rëndë kundërajror 12.7 mm, me këmbalec, një mitraloz i rëndë 7.62 mm, model 54, me 1 trekëndësh mbështetës, dy kallashnikovë , 4 karikatorë bosh dhe 2 me fishekë, tre predha kundërtank, dy mbushje të predhave kundërtank, një granat-hedhës, një kasetë metalike me 250 fishkë model 54, një shirit me 170 fishekë model 54, një shirit me 44 fishekë model 12.7, një arkë metalike me 50 fishekë model 54, kalibër 12.7, një arkë me 470 fishkë model 54, kalibër 7.62, një bidon 5 litërsh dhe 1 çantë lini me fishekë të ndryshëm. Ky është arsenali luftarak, i zbuluar dhe sekuestruar nga policia. 

Top Channel