4 Korriku, mbarë Kosova uron SHBA. Ngrihet flamuri amerikan në sheshin “Bill Clinton”

04/07/2015 00:00

Me rastin e 239-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shoqata “Miqtë e Amerikës”, të shtunën ka ngritur flamurin e Amerikës në sheshin “Bill Clinton” në Prishtinë.

Flamuri amerikan është ngritur me nderime të larta nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por këtë vit mungoi orkestra frymore e saj. Të kontaktuar nga Top Channel, zyrtarë të FSK-së thanë se pjesëmarrja e orkestrës frymore nuk është kërkuar nga organizatorët.

Por burime të tjera zyrtare, në kushte anonimati, thanë për Top Channel se mungesa e orkestrës ka të bëjë me alarmet e fundit lidhur me aktivitetin e mundshëm të ISIS në Kosovë.

Zëvendës shefi i misionit në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Jefferey Jamison tha se, “është një nder i veçantë të shënojmë këtë rast në Kosovë që të mund të kujtojmë idetë e lirisë, e pavarësisë, jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë”.

Përfaqësuesi i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi u shpreh i lumtur dhe tha se po i zhvillojnë këto aktivitete me qëllimin që të falënderojnë Amerikën për gjithë kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës.

Për ta shënuar këtë ditë, Rexhepi tha se kanë organizuar edhe disa aktivitete të tjera si ekspozitën një ditore nga Idriz Berisha dhe një gala mbrëmje në Istog.

Ndërkohë, nuk kanë munguar urimet e udhëheqësve të Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa ka uruar qeverinë dhe popullin amerikan.

Në mesazhin e tij, Mustafa u shpreh se Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një ngjarjet që përjetohet me ndjenja të veçanta vlerësimi dhe mirënjohjeje nga populli i Kosovës.

Në urimin e tij Mustafa thekson se, shpallja a pavarësisë së SHBA-ve shënon lindjen e modelit shtetëror të bazuar në vlerat universale të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit.

Edhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Dita amerikane e Pavarësisë është festë edhe për Kosovën.

“Prej shumë shumë dekadash, kur festohet në Amerikë festohet edhe në Kosovë dhe kur qahet në Amerikë, qahet edhe në Kosovë. Fati ynë është i pandashëm prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu që urime 4 Korrikun popullit dhe institucioneve amerikane! Urime komunitetit shqiptaro-amerikan dhe urime të veçanta ushtarëve amerikanë që shërbejnë me NATO në Kosovë, larg atdheut dhe familjes”, shkroi Thaçi.

Ndërsa në urimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thuhet: “Populli i Kosovës u është përherë mirënjohës qeverisë dhe popullit të SHBA-ve, për ndihmën dhe mbështetjen në realizimin e aspiratës historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në të gjitha përpjekjet tona për shtet dhe dinjitet kombëtar e qytetar”.

Edhe Nisma për Kosovën, përmes një komunikate ka shprehur “mirënjohjen e thellë” për ndihmën që SHBA dhe institucionet e saj shtetërore kanë dhënë për Kosovën dhe popullin e saj, “në këto vite vendimtare të histories shtetndërtuese”.

Top Channel