Protesta masive në Kiev: Të shpallet luftë ndaj separatistëve në lindje

04/07/2015 00:00

Me qindra luftëtarë pro qeverisë dhe mbështetës të ekstremit të djathtë marshuan në qendrën e kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, për një tubim jo krejtësisht paqësor.

Një pjesë e demostruesve dogjën goma makinash nëpër rrugë, disa prej tyre e kishin fytyrën të mbuluar e të tjerë valëvisnin flamuj, simbol të asaj që për ukrainasit përfaqëson “idenë e kombit”. Kërkesa e protestuesve i drejtohej ekzekutivit; apeli i turmës ishte që qeveria në Kiev t’i japë fund armëpushimit të Minskut e t’u shpallë luftë separatistëve prorusë në rajonet lindore.

“Ne duam që operacioni antiterrorist të quhet lufte. Sepse në të vërtetë, e tillë është. Duam që marrëveshja e turpshme e Minskut të hidhet poshtë. Jemi lodhur me oligarkët. Ne duam që të gjithë gjykatësit, prokurorët, anëtaret e forcave speciale “Berkut” dhe të gjithë personat përgjegjës për vrasjet e protestuesve gjatë revolucionit, të ndëshkohen. E kërkojmë një gjë të tillë sot sepse pritëm që të ndodhte, dhe nuk ndodhi”, thotë Mykola Kohanivsky, komandant i batalionit PUN-UPA.

Një luftëtar vullnetar, ish-drejtuesi i batalionit “Aidar”, Sergiy Melnychenko, pati edhe ai një kërkesë konkrete.

“Në rajonet e përfshira nga konflikti dhe zonat përreth tyre duhet të shpallet ligji ushtarak. Situata nuk mund të vazhdojë më kështu; kjo luftë duhet të marrë fund”, deklaron Sergiy Melnychenko, ish-komandant batalioni.

Armëpushimi i brishtë po qëndron në këmbë në lindje të Ukrainës që prej muajit shkurt, megjithatë të dyja palët vazhdimisht e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të paktit. Kievi druhet se Rusia mund të angazhojë trupa për tëndihmuar separatistët që të shtrijnë kontrollin e tyre, duke hyrë edhe më thellë në territorin ukrainas. Moska, si gjithmonë, nuk e pranon të ketë dërguar ushtarë në vendin fqinj.

Që prej shpërthimit të konfliktit, prillin e vitit të kaluar, në lindje të Ukrainës ka marrë më shumë se 6500 jetë njerëzish.

Top Channel