Varufakis: Kreditorët janë terroristë, duan të poshtërojnë grekët

04/07/2015 00:00

Një ditë përpara referendumit mbi dorëzaninë ndërkombëtare, Janis Varufakis u hodh në sulm ndaj kreditorëve të Athinës duke i akuzuar, siç tha, për  terrorizëm.

Në një koment për gazetën spanjolle “El Mundo”, ministri grek i Financave deklaroi se huadhënësit ndërkombëtarë duan të mbjellin frikë në popull. E ashtuquajtura Trojkë, ishin fjalët e tij, kërkon me ngulm triumfin e votës “Po” në mënyrë që të poshtërojë grekët.

“Përse na detyruan të mbyllim bankat? Që të mbjellin frikë, sigurisht. Dhe përhapja e frikës mban emrin terrorizëm”, tha Varufakis.
 
Varufakis shtoi se kryeministri Aleksis Tsipras do ta arrijë për çdo rast marrëveshjen me kreditorët, edhe nëse rezultati i referendumit do të jetë “Jo” , e deklaroi se bankat do të hapen të martën në të gjithë Greqinë, sido që të votojnë grekët të dielën.

Korrespondentët e huaj megjithatë tregohen skeptikë ndaj këtij pohimi. Për shumë votues në Athinë, referendumi përfaqëson një zgjedhje të vetme: qëndrimin ose jo në Eurozonë.

Top Channel