TAP shkarkon 60 milionë euro; vetëm në fazën e parë pritet ndërtimi i 100 km rrugë

04/07/2015 00:00

Gërmimet e para kanë nisur tashmë nga Çorovoda, me ndërtimin e rrugëve të aksesit dhe urave. Përgjatë të gjithë gjurmës së gazsjellësit do të ndërtohen dhe përmirësohen rreth 100 kilometra rrugë, është parashikuar rehabilitimi i 42 urave ekzistuese dhe ndërtimi i 3 urave të reja.

Vlera e përafërt e investimit në fazën e parë do të jetë rreth 60 milionë euro. Të gjitha këto me efekt jo vetëm në punësim, por edhe në përmirësimin e infrastrukturës së të gjithë këtyre zonave.

Drejtori Menaxhues i TAP, Ian Bradshow thotë se përfshirja e kompanive shqiptare si nënkontraktore ka nisur që në këtë fazë të parë të punimeve ku 95% e stafit është shqiptar dhe numri i të punësuarve në këtë fazë të parë do të jetë mbi 500 vetë.

“Sic e shihni këtu, sot kompanitë shqiptare janë tashmë të përfshira në kontratat kryesore për këto rrugë aksesi dhe ura që po rehabilitohen dhe ndërtohen në Shqipëri. Kjo është një joint-venture mes një kompanie shqiptare dhe italiane dhe kompania shqiptare është në drejtim të saj, thuajse 95% e stafit në këtë pjesë të punimeve janë shqiptarë”, thekson Bradshow.

Faza e dytë është ndërtimi i tubacionit të gazit në territorin shqiptar që pas përfundimit të plotë të punimeve dhe transportit të gazit të parë nga fushat e Azerbaxhanit drejt Europës perëndimore pritet të përfitojë një pjesë të tij për nevojat e brendshme. Përfituesit e parë, sipas Ministrisë së Energjisë që po harton paralelisht një masterplan dhe studim fizibiliteti për gazifikimin e vendit, janë TEC-i i Vlorës, një investim që prej vitesh nuk funksionin, si dhe industria.

“Po krijojmë një pikë daljeje në Shqipëri, pra po lehtësojmë marrjen e gazit me shpresën që kjo do të lejojë masterplanin shqiptar të gazit të krijojë gjurmë në industrinë e gazit në vend”, vijon Bradshow.

Zoti Bradshow u ndal edhe tek pozicioni gjeostrategjik i gazsjellësit. A mundet gazsjellësi Turkish Stream të konkurojë projektin TAP?

“Jo. TAP është pjesa europiane e korridorit jugor të gazit. Korridori Jugor i Gazit transporton gazin nga Kaspiku, Azerbaxhani, Gjeorgjia, Turqia më pas kalon tek TAP në kufirin turko-grek dhe në e çojmë këtë gaz përmes Greqisë, Shqipërisë, Adriatikut dhe Italisë dhe është totalisht e ndarë nga Turk Stream’, tha Bradshow.

Top Channel