Tunizi, shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Rriten masat e sigurisë

04/07/2015 00:00

Tunizia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, kur ka kaluar pak më shumë se një javë pasi 38 turistë, shumica e të cilëve britanikë, mbetën të vrarë në një resort turistik pranë qytetit Souse.

Gjendja e emergjencës u jep forcave të sigurisë më shumë pushtet dhe kufizon të drejtën e grupimeve në publik.

Autoritetet kishin përforcuar sigurinë pas sulmit të 26 qershorit, duke vendosur oficerë të armatosur pranë hoteleve dhe plazheve. Presidenti tunizian, Beji Caid Essebsi pritet t’i adresohet me një fjalim kombit.

Më herët, forcat e sigurisë u kritikuan se nuk iu përgjigjën në kohë sulmit në Souse, ku një person i armatosur hapi zjarr ndaj turistëve në plazh, para se të hynte në hotel.

Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë e sulmit, më i rëndi i regjistruar në vitet e fundit në Tunizi. Në muajin mars, dy persona të armatosur vranë 22 persona në muzeun Bardo, në kryeqytetin Tuniz.

Analistët thonë se Tunizia është vënë në rrezik nga situata kaotike në Libinë fqinje dhe nga rreziku që përbëjnë vetë tunizianët që kanë shkuar të luftojnë në Siri e Irak e që më pas kthehen në shtëpi.

Hera e fundit kur tunizia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ishte në vitin 2011, kur u regjistruan dhe kryengritjet që çuan në rrëzimin e presidentit të atëhershëm, Ben Ali.

Top Channel