Pas një artikulli tronditës, me të cilin paralajmërohet një mundësi për taksë mbi 30% të depozitave të grekëve nëse nuk arrihet marrëveshje me kreditorët, “Financial Times”, me një artikull të ri hedh dritë se si kryeministri Tsipras pas 5 muajsh qeverisje zgjodhi referendumin që cilësohet si fillimi i “Grexit” dhe sesi ministri i Fiancave Varoufakis është sipas gazetës një sabotator i negociatave.

Radikalët e majtë që erdhën në fuqi në janar dhe krijuan një qeveri koalicioni me një parti të vogël të djathtë kanë filluar negociatat me krediorët, duke u munduar të mos shkelin premtimet e tyre elektorale.

Por, të ndodhur përballë mungesës së likuidtetit financiar dhe kërkesave për reforma të huadhënësve, ata kanë filluar të tërhqien duke dhënë përshtypjen se ishin pranë marrëveshjes.

Pikërisht më 25 qershor, thekson “FT”, kur liderët e BE kujtuan se ishin gati të nënshkruanin marrëveshjen me Greqinë, Tsipras ka kërkuar mbi 10 lëshime të reja në listën e reformave.

Duke e përsëritur disa herë këtë veprim brenda disa ditëve, Tsipras dhe qeveria e tij kanë humbur besimin e liderëve europianë edhe për ditët pas referendumit, vijon gazeta.

“Nëse fiton “po”, në mënyrë të qartë do të jetë shumë, shumë e vështirë për Tsipras që të kthehet në Bruksel dhe të negociojë mbi një marrëveshje të re. Në çdo rast, kreditorët do të mendojnë se ai nuk është një negociator i besueshëm në qoftë se mbizoteron “po”. Nëse fiton “jo”, mundet që kreditorët të thonë se grekët nuk duan të jenë më pjesë e eurozonës”, thotë Nikos Skoutaris, ekspert ligjor.

Sipas autorit të artikullit, Varoufakis, ministri karizmatik i Financave, sabotonte negociatat në mënyrë që Greqia të falimentonte dhe Athina të përfitonte reduktimin e borxhit që nuk e kishte arritur nëpërmjet bisedimeve. Por, pa një program të ri shpëtimi, “Grexit” duket se do të jetë shumë pranë në 20 korrik kur Athina duhet të paguajë 3.5 mld euro tek BQE.

“Pas 5 viteve të krizës dhe pas 5 viteve negociata për çështjen greke, europianët janë përgatitur më mirë për të përballuar një “Grexit”. Nga pikëpamja financiare nuk jam mjaft i sigurt nëse ata kanë llogaritur shumë mirë efektin ekonomik, por unë mendoj se ata mund të mbijetojnë”, vijon Skoutaris.

Kreditorët e Greqisë vlerësojnë se një votë “po” do të ringjallë shpresat e ndihmës për Athinën, pavarësisht ekonomisë së rrënuar dhe mbylljes së bankave, por një votë “jo”  do të sjellë pasiguri edhe më të madhe dhe perspektivën e një kolapsi të menjëhershëm financiar.

Analistë të huaj kanë shprehur shqetësimin se rezultati i referendumit do të jetë jobindës, ose pa diferencë midis alternativave, duke sjellë konfuzion të mëtejshëm në vend, ndoshta dhe protesta e tensione të dhunshme.

Top Channel