Dialogu me Serbinë, Tahiri: Dallime për shoqatën e komunave serbe

04/07/2015 00:00

Ministrja për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka deklaruar se lidhur me çështjen e shoqatës së komunave serbe ka pasur përparime, por dallimet mbeten ende të mëdha për shkak të disa kërkesave ireale që sipas saj ka bërë Serbia.

Duke folur për agjencinë e lajmeve “Kosovapress”, Tahiri tha se qëndrimet kategorike të Kosovës janë që shoqata nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive.

Po ashtu, sipas Tahirit, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian janë pajtuar që të themelohet shoqata, por që ajo të funksionojë në bazë të ligjeve të Kosovës.

Ndërsa në lidhje me marrëveshjen për telekomin, pala serbe do të ketë një liçencë të përkohshme të telefonisë së lëvizshme në Kosovë.

Marrëveshja për telekomin është e qartë, Kosova do të marrë kodin telefonik 383. Nga ITU-ja për Kosovën do të aplikojë Austria. Kosova do të jetë vetadministruese e këtij kodi dhe nuk ka lidhje me operatorët. Është e vërtetë që me marrëveshjen për telekomin parashihet që të ketë një liçencë të përkohshme për një kompani, por kjo nuk ka të bëjë me operatorin e tretë sepse ai në Kosovë mund të vijë vetëm me një tender ndërkombëtar”, tha Tahiri.

Top Channel