Britani, azilantët nuk do të mbahen nëpër kampe. Sistemi i shqyrtimit dhe apelimit do pezullohet

04/07/2015 00:00

Gjykata e Lartë në Londër e ka cilësuar të paligjshëm sistemin e mbajtjes së azilantëve nëpër kampe refugjatësh, ku u shqyrtonte kërkesat për azil apo apelimet me “procedurë të përshpejtuar”.

Kjo ka detyruar Ministrinë e Brendshme, Home Office, të pezullojë, siç thotë ajo, përkohësisht këtë sistem dhe rifillimin e tij deri në momentin kur të jenë krijuar kushtet e duhura. Njoftimin e bëri në Parlament ministri i Emigracionit, James Brokenshire.

Sipas këtij sistemi, të krijuar në vitin 2000, shumë azilantë të rinj që kapeshin nga autoritetet mbaheshin nëpër qendrat e paraburgimit, ku u shqyrtoheshin kërkesat për azil me procedurë të përshpejtuar, që sipas shifrave, në 99 për qind të rasteve ata ktheheshin në vendet nga kishin ardhur.

Duke shpjeguar këtë procedurë, avokati i mirënjohur shqiptar në Londër për çështjet e emigracionit, Kastriot Berberi thotë për Top-Channel se, “procesi “fast track” sjell një numër të ulët suksesi, intervistime dhe vendime të shpejta, shkurtime të kohëve të apelit, regjim strikt të shtyrjeve të gjykimeve dhe si rrjedhojë azilkërkuesi del jashtë procesit të azilkërkimit”.

Sipas avokatit Berberi, “ky vendim nënkupton që azilkërkuesit me ndihmën e avokatëve të tyre do t’i kryejnë jashtë sistemit “fast track” dhe për një kohë më të gjatë se 7 ditë të gjitha procedurat, si për shembull marrja e instruksioneve, përgatitja e deklaratave, përkthimi i dokumentave, aplikimet për t’u liruar, marrja e dëshmitarëve ekspertë dhe përfaqësimi i çështjes në Home Office dhe gjykatë”.

Nga ky vendim i Gjykatës së Lartë përfitojnë edhe azilkërkuesit shqiptarë mes atyre të etnive të tjera. Ky vendim mund të rrisë shanset e suksesit të aplikimeve të këtyre azilkërkuesve, vijon avokat Berberi.

Gjykata e Lartë ka pezulluar këtë procedurë deri sa Home Office të apelojë dhe të gjitha procedurat e këtij apeli të përfundojnë. Ndërkohë janë liruar rreth 100 azilkërkues nga kampet e refugjatëve dhe shanset e azilantëve të rinj për momentin janë që të mos dërgohen në këto kampe për një të ardhme ende të papërcaktuar.

Top Channel