Berisha: Vrasja e turistëve çekë, një vrasje e pabesë

04/07/2015 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar “një vrasje të pabesë, një krim horror, i njëjtë me një akt kanibalesk” ekzekutimin e dy turistëve çekë.

“Vrasja mbrëmshme e dy turistëve çekë është atentat i rëndë për moralin, virtytin e mikpritjes dhe kodin e saj. Ky akt është një krim horror, një vrasje e pabesë, e njëjtë me një akt kanibalesk”, shkruan Berisha në statusin e tij në rrjetin social Facebook.

Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, ai u ka bërë thirrje banorëve të Prekalit dhe të të gjithë zonës të informojnë prokurorinë për çdo të dhënë që kanë për këtë ngjarje që ka tronditur kaq thellë sot shqiptarët.

“I kërkoj qeverisë të trefishojë shumën dhe të japë çdo garanci tjetër për personin apo personat që do japin informacionin e saktë për autorët e kësaj vrasjeje, që na bën të skuqemi sot të gjithëve, si dhe vendndodhjen e tyre”, përfundon Berisha mesazhin e tij.

Top Channel