Blatter hidhet në kundërsulm: Katar 2022? Franca dhe Gjermania influencuan politikisht

05/07/2015 00:00

Presidenti në detyrë i FIFA-s, Sepp Blatter, ka bërë të ditur se ndaj tij është ushtruar presion politik nga Franca dhe Gjermania, përpara sesa të shpalleshin fituesit e garës për organizimin e Botërorëve të viteve 2018 dhe 2022, të cilat u janë caktuar Rusisë dhe Katarit respektivisht.

Duke folur për gazetën gjermane “Weld am Sonntag”, Blatter ka thënë se “ka pasur dy ndërhyrje politike” nga ish-Presidenti Nicolas Sarkozy dhe homologu i tij gjerman, Christian Wulff, përpara se të shpalleshin organizatorët më 2 dhjetor të vitit 2010.

“Sarkozy dhe Wulff u përpoqën të influenconin përfaqësuesit e tyre me të drejtë vote. Kjo është arsyeja përse ne kemi tani një Kupë Bote që do të zhvillohet në Katar. Ata që vendosën për të duhet të mbajnë përgjegjësi tashmë”, tha Blatter, i cili është lodhur së marri përsipër barrën e fajit për diçka ndaj së cilës nuk ka pasur kontroll.

“Unë veproj me parimet e udhëheqësit. Nëse shumica e Komitetit Ekzekutiv dëshiron një Botëror të zhvillohet në Katar, atëherë mua më duhet ta pranoj”, tha Blatter. Ai bëri të ditur se Federata gjermane e Futbollit (DFB) mori një rekomandim nga Wulff “për të votuar për Katarin për interesa ekonomike”.

Ish-presidenti i DFB-së, Theo Zëanziger, shkroi në librin e tij se Wulff kishte pyetur në lidhje me mundësitë e Katarit, por mohoi të ketë pasur ndonjë influencë. Franz Beckenbauer, një anëtar i Komitetit Ekzekutiv në atë kohë, nuk kishte deklaruar kurrë se cilin vend duhej të votonte.

Ndërkohë, në disa komente të tjera kontroverse, Blatter ka pranuar përgjegjësinë për gjendjen e punëtorëve emigrantë që po ndërtojnë stadiumet në Katar, pas raporteve për abuzime me të drejtat themelore të njeriut.

Top Channel