OSHEE, nënstacion të ri në Çorovodë. Gjiknuri: Rritet cilësia dhe ulen humbjet në rrjet

05/07/2015 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) po ndërton në Çorovodë një nënstacion të ri 110 kilovolt, i cili sipas saj përmirëson furnizimin e zonës dhe ul ndjeshëm humbjet në sistem.

“Përmes këtij investimi, ne synojmë që humbjet teknike të energjisë për këtë zonë t’i ulim me 7 për qind, nga 33% aktualisht në 26 për qind pas një periudhe 6-mujorshe”, tha Ardian Çela, drejtor i Përgjithshëm i OSHEE-së.

“Ky është një investim, që do të shoqërohet edhe me ndërtimin e linjës 110 kilovolt nga Uznova në Çorovodë, e cila ka një vlerë rreth 457 mln lekë. Të dyja këto do të garantojnë jo vetëm furnizimin me energji të këtij nënstacioni, por edhe do të përmirësojnë cilësinë e furnizimit, sepse zona ka pasur gjithnjë probleme me nivelin e tensionit. Gjithashtu do të mundësojnë rritjen e aksesit të të gjithë prodhuesve privatë në rrjet”, tha Engjëll Zeqo, drejtor i Përgjithshëm i OST-së.

Për ministrin Damian Gjiknuri, sektori i energjisë, nga kërcënim për ekonominë kombëtare po shndërrohet në nxitës të saj.

“Përse është kjo valë investimesh? Siç e kemi theksuar, ligjshmëria në sektorin e energjisë elektrike, pagesat e faturave nga popullata, po kthehen në investime për të rritur cilësinë e furnizimit, për të ulur humbjet dhe vjedhjet. Në fund të fundit këto do të jenë në dobi të qytetarit shqiptar por edhe shtetit shqiptar dhe buxhetit të Republikës së Shqipërisë. Sektori energjetik po i kthen mbrapsht vendit, atë që i takon”, tha ministri i Energjisë, Gjiknuri.

“Kjo është një kërkesë e hershme e banorëve dhe biznesit, qoftshin ata investitorë vendas apo të huaj, që kanë ndërtuar hidrocentrale dhe po vazhdojnë të ndërtojnë”, tha ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

Nënstacioni i Çorovodës zëvendëson atë të Uznovës, një vepër e ndërtuar në vitin 1968. Investimi për nënstacionin e ri prek 10 mijë abonentë dhe përfundon në janar të vitit të ardhshëm. Në total, për vitin 2015, OSHEE ka planifikuar të investojë rreth 5.8 miliardë lekë, ose mbi 50 milionë dollarë në rrjetin e shpërndarjes.

Top Channel