Korçë, ambasadori gjerman në përkujtimin e masakrës së Borovës

05/07/2015 00:00

Ambasadori gjerman Helmut Hoffman në 72-vjetorin e homazheve të zhvilluara për masakrën e Borovës në Ersekë.

Duke vlerësuar hapat pozitive të Shqipërisë drejt BE-së, ai  ka theksuar se sa më energjik të jetë realizimi i reformave aq më i shpejtë do të jetë progresi.

Hoffman ka shprehur respekt të thellë për familjarët e viktimave të kësaj masakre, ku ushtarët gjermanë u morën jetën 107 personave mes të cilëve fëmijë, gra e të moshuar.

Ambasadori nuk ka lënë pa përmendur edhe situatën e dhunës dhe akteve të shumta të terrorizmit.

“Është e drejtë dhe e domosdoshme të kujtojmë ngjarje të tilla të dhimbshme dhe për mua është e rëndësishme që në një ditë si kjo të vij te ju, të flas me ju. Edhe pse nuk është e lehtë sepse në këtë ditë në këtë vend ajo që mund të ndiejë një gjerman është vetëm turpi për gjithë sa ka ndodhur edhe pse si të lindur më pas ne nuk kemi një ndjesi personale faji lidhur me këtë”, tha Hoffman.

Në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ambasadori tha: “Shqipëria sot bën pjesë në pararojën e integrimit europian. Është pozitiv rrugëtimi i vendit drejt BE-së dhe ne e mbështesim”.

Në fund, Hoffman foli edhe për vizitën e Merkelit në Tiranë më 8 korrik: “Kancelarja Merkel do të pritet tejet miqësisht, për sa e njoh unë situatën”.

Në varrezat e martirëve kanë bërë homazhe edhe familjarë dhe të afërm të të vrarëve.

Top Channel