Denis Dyrnjaja – Mendoj dhe besoj se sot jam njëri nga qindra shqiptarë që nuk ndihet i fajshëm, por ndihet i turpëruar, thellësisht i turpëruar për atë ngjarje të shëmtuar, tinëzare dhe barbare që ndodhi në Malësinë e Dukagjinit, ku dy turistë çekë, Anna Kosinova dhe Michal Svatos, humbën jetën tragjikisht, të vrarë nga pushkë cubash burracakë.

Ndihem disafish i turpëruar nga kjo ngjarje. Së pari, se unë jam shqiptar, sikurse ai që vrau në Dukagjin, së dyti, se ndihem shqiptar i pabesë, sikurse ai që vrau në Dukagjin, së treti, se kjo ngjarje më ka bërë të ndihem jo si qytetar i shekullit të 21, por si mesjetar dhe së fundi, ndihem i turpëruar për shtetin tim, për shtetin tonë, që është shtet vetëm në bllok dhe për bllok, këtu në mes të Tiranës. Dhe për të gjitha këto turpërime ndiej detyrimin më minimal të shpreh një ndjesë publike si qytetar dhe shtetas i këtij vendi, ndaj çdo të huaji që shkel në Shqipëri, për punë, biznes apo turizëm. Na falni që nuk mund të jemi dot si ju, njerëz normalë. Keni të drejtë të na paragjykoni dhe shpërfillni, ne nuk meritojmë të jemi pranë jush dhe si ju, në Europën e dëshiruar e të pretenduar, sepse ne nuk shkëputemi dot nga gjenetika shtazore, sepse ne nuk dimë t’i izolojmë shtazët e llojit brenda nesh, nga njerëzit normalë, sepse ne jemi të zhytur në injorancë e prapambetje, sepse ne gënjejmë veten kur kujtojmë se jemi si ju vetëm nga rrobat që veshim e ushqimi që hamë. Por në fakt jemi shumë larg jush, në mendësi, në qytetari e shtetësi. Dy jetë të pafajshme të dy të rinjve çekë u ndalën në Malësinë e Dukagjinit, vendi, emrin e të cilit mban edhe Kanuni i famshëm, Kanuni i rregullave që i dedikon mikut respektin maksimal. Vrasësit e turpëruan librin e kodeve të shenjta të shqiptarit, sepse ata s’kanë as fe, as Kanun, ata janë thjeshtë ca qenie, si ato të lashtësisë, në tribu. Anna dhe Michal erdhën në Shqipëri për të mos u kthyer më të gjallë në Çeki. A mund të ndiesh qetësi kur mendon për dhembjen e nënave, baballarëve, motrave, vëllezërve e miqve të viktimave? Ku e kishin dhe kush mund ta kishte menduar se të vish për turizëm në Shqipëri, mund ta pësosh njësoj si ata njerëz të pafajshëm që masakrohen çdo ditë nga terroristët në Siri. Shumëkush do ta distanconte me të drejtë veten nga kjo ngjarje, duke pretenduar se ne të gjithë nuk jemi vrasës ose keqbërës, ndërsa unë nuk do ta bëj. Sepse ashtu sikurse zgjedhim të jemi e të ndihemi krenarë me ata shqiptarë që na nderojnë anembanë botës, duhet të zgjedhim të ndajmë edhe turpin me ata që na përlyejnë fytyrën, vendin dhe dinjitetin. Sot më vjen turp që jam shqiptar!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel