Clinton paralajmëron për rritjen ushtarake të Kinës. E fajëson edhe për sulmet kibernetike

05/07/2015 00:00

Kandidatja demokrate për Presidencialet e vitit 2016, Hillary Clinton, ka bërë disa prej deklaratave më të ashpra deri më sot në lidhje me sulmet kibernetike të Kinës nëpër kompjuterat e SHBA-ve.

Kina po përpiqet “të ‘hack’-ojë gjithçka që nuk lëviz” në Shtetet e Bashkuara – thotë Clinton, – duke akuzuar kinezët për vjedhjen e informacioneve nga bizneset dhe agjencitë qeveritare të Amerikës.

Kina është e dyshuara kryesore e vjedhjes së fundit të të dhënave personale të rreth 18 milionë punonjësve aktualë, disa ish dhe disa të pritshëm në administratën federale, të cilët janë prekur nga shkeljet kibernetike të Zyrës së Menaxhimit të Personelit.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar, James Clapper, tha gjatë një konference mbi këtë çështje të muajit të kaluar se kinezët janë “të dyshuarit e vijës së parë” në sulmet masive kibernetike të zyrës së sipërpërmendur.

Clinton ka qenë gjatë një eventi të fushatës së saj në Glen të New Hampshire, nga ku është shprehur gjithashtu se “duke vjedhur sekretet tregtare, projektet e kontraktorëve të mbrojtjes, apo sasira të mëdha informacioni qeveritar, gjithçka duket se bëhet për të siguruar një avantazh”.

Clintoni tha se përgjigjja e Amerikës ndaj rritjes së vazhdueshme të Kinës do të përcaktojë shumë në lidhje me të ardhmen e vetë Shteteve të Bashkuara, por edhe të të gjithë botës.

“Dua të shoh një rritje paqësore për Kinën, – tha Clinton. – Kam punuar shumë mbi këtë çështje kur isha Sekretare e Shtetit dhe do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë. Por, ne duhet të jemi gjithashtu tejet vigjilentë ndaj faktit se ushtria e Kinës është duke u rritur me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe se ata po krijojnë baza ushtarake, të cilat kërcënojnë vazhdimisht vendet që kanë traktate bashkëpunimi me ne, si për shembull Filipinet, sepse janë duke ndërtuar nëpër ishuj me pronësi të kontestueshme”.

Në lidhje me këtë të fundit, Clinton i është referuar ndërtimit të një ishulli artificial nga ana e Kinës në ujërat e diskutueshëm të detit të Kinës Jugore.

Top Channel