Kosovë, Mustafa: Ngërçi i dialogut mbetet Asociacioni i Komunave Serbe

05/07/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka bërë të ditur se tema më e vështirë, që po negociohet me delegacionin e Serbisë në Bruksel, mbetet Asociacioni i Komunave Serbe.

Kryeministri kosovar ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se, normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve mes Kosovës  dhe Serbisë është faktor i rëndësishëm, jo vetëm i së ardhmes evropiane të Kosovës, por edhe i përqendrimit në zhvillimin e saj ekonomik dhe social.

Mustafa ka thënë se, procesi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, liberalizimi i vizave, tërheqja e investimeve të huaja dhe shumë procese të tjera kushtëzohen me stabilitetin e brendshëm dhe me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Asociacioni i Komunave po vërtetohet se është ndër temat më të vështira. Delegacioni i Kosovës u tregua korrekt dhe konstruktiv, për të gjetur zgjidhje brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit tonë. Në anën tjetër, pala serbe ishte këmbëngulëse, që asociacioni të kryejë disa punë të pushtetit qendror dhe atij lokal, kurse njerëzit që kryejnë këto punë të kenë cilësinë e punonjësve shtetërorë”, tha Mustafa.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, çdo zgjidhje, e cila pa marrë parasysh formën do të krijonte në realitet asimetri pushtetesh, jo vetëm që do të jetë e dëmshme për Kosovën, por edhe për miqtë e saj, që ndihmuan në ndërtimin demokratik dhe institucional, sepse do të prodhohej një sistem jofunksional dhe joperspektiv, i cili do të shtyjë Kosovën me dekada të merret me vetveten.

“Jemi të gatshëm të shpenzojmë edhe më shumë kohë e energji, për një zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme, e cila do të krijojë stabilitet për vendin tonë, stabilitet rajonal dhe perspektivë evropiane. Zgjidhjet e tilla nuk janë ideale. Ato janë të rënda, sidomos për ata që negociojnë dhe duhet të marrin vendime, por këto zgjidhje e lehtësojnë jetën tonë”, tha Mustafa.

Top Channel