Romët në gjendje të rëndë, Avokati i Popullit: U mungon gjithçka

05/07/2015 00:00

Romët rrezikohen nga përhapja e ndonjë epidemie, pasi kushtet në të cilat jetojnë janë tepër të rënda. Avokati i Popullit, Igli Totozani ka vizituar këtë komunitet në Bregun e Lumit dhe në zonën e Shkozës në Tiranë.

“Ne duam kanalizimin e ujërave të zeza sepse nuk ka farë kanalizime. Ujërat e zeza derdhen në Lanë. Dikush ka tubat që i nxjerr deri në lumë, ndërsa nga krahu tjetër nuk kanë farë tualete, kanë vetëm gropa. Fëmijët i kemi pa larë, kanë rënë viktima të zgjebes”, ankohen banorë të komunitetit rom.

Avokati Totozani është njohur nga afër me problematikat e tyre, si mungesa e ujit të pijshëm, kanalet e ujërave të zeza, e të tjera.

“Romët janë njerëz të rrezikuar, jeta e të cilëve është seriozisht e rrezikuar. Jeta e tyre është në rrezik të vazhdueshëm nga epidemitë, nga aksidentet e sëmundjet e ndryshme. Edhe më emergjente është prania e gjarpërinjve, por edhe gropat septike të ujërave të zeza, që përbëjnë një shqetësim të pashmangshëm, që organet shtetërore duhet urgjentisht ta ndjekin, ashtu siç do ta ndjekim edhe ne, sepse në kushtet e vapës me temperatura 40 gradë Celcius do të jetë një gjendje emergjente”, thotë Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Por komuniteti rom është ankuar dhe për vonesa deri në tre muaj të ndihmës ekonomike, çka e vështirëson edhe më tepër jetesën e tyre.

“Ndihma ekonomike ka disa muaj që po vonohet dhe këtë do ta ndjekim si problem prioritar dhe emergjent. Në periudhë afatgjatë mbeten të pazgjidhura çështje si strehimit, ndihma ekonomike, regjistrimi, transferimi i të dhënave personale nga një njësi administrative te një tjetër. Mbetet një problem i madh çështja e punësimit”, shtoi më tej avokati Igli Totozani.

Avokati i Popullit u kërkon institucioneve shtetërore të vënë prioritet çështjen e romëve, pasi ky komunitet në vendin tonë diskriminohet.

Top Channel