Dërgohet për gjykim ish-juristja e Hipotekës në Vlorë, akuzohet për falsifikim dokumentesh

05/07/2015 00:00

Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim ish-juristen e Hipotekës së Vlorës, Odeta Harizaj dhe shtetasin Krenar Tartaraj, të akuzuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale” që lidhet me tjetërsimin e një prone publike me sipërfaqe 2500 metra katrorë në lagjen “1 Maji” të Vlorës dhe më pas ia kanë shitur disa personave të tjerë në vlerën e 22.5 milionë lekëve.

Hetimi i Prokurorisë së Vlorës, i cili ka nisur në bazë të kallëzimit të një qytetari, ka arritur të provojë se në bazë të një serie të gjatë dokumentesh të fallsifikuara, ish-jurista e ZVRPP e ka regjistruar këtë pronë në vitin 2002 në emër të dy shtetasve, të cilët nuk janë realë. Më pas, këta dy shtetas që nuk ekzistojnë, ia kanë shitur pronën për 1.5 milionë lekë të reja kunatit (burrit të motrës së juristes). Nga hetimi, rezultoi se kunati i të pandehurës Odeta Harizaj nuk kishte dijeni për dokumentin e shit-blerjes dhe kjo u vërtetua edhe nga fakti se në kontratën fiktive nuk kishte nënshkruar ai në krah të emrit të tij, por kishte nënshkruar e pandehura Odeta.

Në vijim, po në bazë të dokumenteve të falsifikuara, kjo pronë u është shitur dy personave nga Delvina, të cilët gjithashtu nuk kishin asnjë dijeni se emri i tyre ishte i përfshirë në një transaksion të tillë në Vlorë.

Më tej, rezulton se, po në bazë të dokumentave të falsifikuar,  në vitin 2011, këta dy shtetas nga Delvina kanë caktuar si përfaqësues të tyre për shitjen e kësaj prone shtetasin Krenar Tartaraj, nëpërmjet një prokure të përgjithshme. Edhe në këtë rast, rezultoi se prokura në emër të Krenar Tartaraj ishte e falsifikuar, nisur nga ekspertiza e firmave, si edhe nga fakti fillestar që dy shtetasit nga Delvina nuk ishin përfshirë në një veprim të tillë juridik dhe aq më tepër të ishin pronarë dhe të shisnin këtë pronë në Vlorë. Po ashtu, rezulton se shtetasi Tartaraj është mik i familjes së të pandehurës Odeta Harizaj.

Top Channel