Programi bërthamor i Irani, vazhdojnë bisedimet për arritjen e një marrëveshje para së martës

05/07/2015 00:00

Diplomatët e lartë amerikanë dhe ata iranianë u takuan të dielën për të gjashtën ditë radhazi në përpjekje për arritjen e një marrëveshje përfundimtare bërthamore.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif po përpiqen të arrijnë marrëveshjen para ditës së martë, që është edhe afati i fundit, sipas të cilës Irani do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit dhe si shpërblim do të përfitojë heqjen e sanksioneve ose zbutjen e tyre.

Të dyja palët kanë bërë përparime mbi mundësinë e lehtësimit të sanksioneve që Irani mund të marrë, por janë ende të ndara mbi heqjen përfundimtare të sanksioneve të vendosura nga OKB-ja.

“Shumë nga çështjet që lidhen me sanksionet janë zgjidhur dhe janë katër apo pesë çështje që ende nuk kanë një zgjidhje”, tha zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi për agjencinë iraniane ISNA.

Diplomatë që kanë marrë pjesë në bisedime janë shprehur se është arritur një marrëveshje paraprake për pezullimin e sanksioneve të SHBA-ve dhe të BE-së, por 6 fuqitë botërore ende nuk kanë arritur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për heqjen e sanksioneve të OKB-së.

Dy ditë më parë, ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, përmes “Youtube” përcolli një mesazh optimist për gjetjen e një ujdie mes palëve sa i përket programit bërthamor të Teheranit. Ai thotë se palët nuk kanë qenë kurrë më pranë në qëndrime se sa ky moment dhe vë në dukje se programet bërthamore janë kërcënim për të gjithë njerëzimin, jo vetëm për Iranin.

Top Channel