Dëshmia e plotë e Sokol Mjacajt: Doja t’u merrja makinën

05/07/2015 00:00

Sokol Mjacaj ka pranuar vrasjen e dy turistëve çekë pas marrjes në pyetje nën cilësinë e të dyshuarit.

Mjacaj u mor në pyetje nga prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore, ku nuk ka rrëfyer për persona të tjerë bashkëpunëtorë.

“Po, unë jam autori, e kam kryer i vetëm dhe pa bashkëpunëtor. Qëllimi ishte të grabisja makinën. Kam hipur me zor në makinë. Në fshatin Lotaj i kam dalë para automjetit e u kam drejtuar armën, duke u bërë me shenjë të ndalojnë. Kanë ndaluar dhe me zor u kam hipur në makinë. Gjatë gjithë rrugës deri në Prekal i kam mbajt nën kërcënimin e armës, aty u  kam thënë të zbresin, por tentuan të më merrnin armën dhe i qëllova. Makinën nuk e mora pasi ra në greminë kur e qëllova shoferin gjatë ecjes. Kam marrë vetëm një telefon se mu duk shumë i mirë”, u ka thënë hetuesve Mjacaj në lidhje me ngjarjen e rëndë.

20-vjeçari iu dorëzua rrethimit policor në ambientet e një shkolle në fshatin Grudë në Dukagjin rreth 48 orë pas krimit të shëmtuar në fshatin Prekal të Dukagjnit, ku u vranë dy turistë çekë, Michal Svato dhe Anna Kosinova.

Operacioni i së dielës ka qenë një ndër aksionet më masive të policisë në Shkodër, ku në terren ishin rreth 300 forca policie të Komisariatit , Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë,  RENEA-s dhe katër autoblinda që mbështetëshin me dy helikopterë të policisë.

Top Channel