Vritet me armë zjarri një 23-vjeçar në Lezhë, plagoset rëndë një tjetër

05/07/2015 00:00

Një 23-vjeçar ka ndërruar jetë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë në një nga lokalet e qytetit të Lezhës. Burime nga Policia e Lezhës bëjnë të ditur se personi i cili ka humbur jetën është Kristjan Marku, banues në Lezhë, ndërkohë që i plagosuri është shtetasi me inicialet A.G., 38 vjeç, banues në Tale të Lezhës.

Dyshohet se mbi këto persona, të cilët ishin ulur në verandën e këtij lokali, kanë qëlluar persona të paidentifikuar të cilët lëviznin me makinë.

Menjëherë pas ngjarjes, policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve. Në komisariat janë shoqëruar 16 persona.

Ndërkohë, mësohet se janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Lezhës, në aksin Lezhë-Laç e Lezhë-Shkodër.

Top Channel