Tiranë, hapet konkursi për hyrjen e Parkut të Liqenit. Rama: Projekt me vlerë për transformimin e qytetit

06/07/2015 00:00

9 studio arkitekture të huaja dhe shqiptare kanë nisur garën për të prezantuar koncept-idenë më të mirë për hyrjen e parkut kombëtar në Tiranë.

I pranishëm në çeljen e kësaj gare ishte kryeministri Edi Rama, i cili theksoi ngritjen e një qendre për shërbimet publike që pritet të eleminojë burokracitë që hasin qytetarët.

“Juria synon krijimin e hapësirave me rëndësi të veçantë. Së pari, krijimin e qendrës inovative të shërbimeve publike, një qendër e cila do t’i japë të gjitha shërbimet e përqendruara për publikun përmes një sistemi tërësisht inovativ, që do të përbëjë edhe rrëzimin e të gjitha mureve të burokracisë për të gjithë qytetarët që sot enden nga sporteli në sportel”, tha Rama.

Në projektin e qeverisë parashikohen edhe mjedise për strukturat drejtuese të policisë si dhe zgjerimi i hapësirave të Univeristetit të Tiranës në funksion të gjithë të rinjve.

Kryeministri Edi Rama vleresoi kete faze te pare te  projektit si   teper te rendesihem  per transformimin e qyetit: “Është një projekt që i hap rrugë programit të ri transformues për gjithë parkun e integruar të Tiranës. Qëllimi është që të krijojmë një hapësirë të përbashkët mes hapësirave të ndara ekzistuese të Parkut të Liqenit, Kopshtit Botanik dhe Kopshtit Zoologjik”.

Koncept-idetë që do të paraqiten nga 9 studiot do të vlerësohen nga një juri e përbërë nga 9 personalite të arkitekturës, të cilët më pas do të përzgjedhin dhe studion fituese.

Top Channel