Donald Lu: Në gjyqësorin shqiptar, raste shokuese korrupsioni

06/07/2015 00:00

Disa gjyqtarë dhe prokurorë duhet të hiqen menjëherë nga puna dhe në radhët e tyre duhet të ketë arrestime. Ky është opinioni i ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu.

Deklarata e tij, më e ashpra ndaj gjyqësorit shqiptar që pas mbërritjes në vendin tonë, u bë gjatë një konsultimi publik të radhës për reformën në drejtësi, që u zhvillua në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

“Muajin e fundit thash se disa gjyqtarë dhe prokurorë në Shqipëri meritojnë të pushohen nga puna e disa prej tyre të përfundojnë në burg. Kjo mori vëmendjen e të gjithë medias, po gjithashtu unë thash se ka gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm që meritojnë të punojnë në një sistem drejtësie të pastër nga korrupsioni. Ne të gjithë kemi nevojë të përpiqemi për gjyqtarë e prokurorë të pastër, siç kemi nevojë të identifikojmë që të dënohen të korruptuarit”, deklaroi Lu.

Ambasadori Lu tha se, në këndvështrimin e tij duhet të kthehet menjëherë besimi i publikut te sistemi i drejtësisë, që po përballet me problemin e rëndë të korrupsionit.

“Një demokraci e pastër dhe funksionale ka institucione dhe një proces të identifikimit të korrupsionit, dënimin e përgjegjësve dhe sigurimin e drejtësisë për njerëzit. Vitet e fundit, asnjë prokuror dhe vetëm 3 gjyqtarë janë dënuar për korrupsion në Shqipëri”, theksoi Lu.

Ambasadori solli në vëmendje një rast konkret, atë të një gruaje shqiptare të dhunuar nga bashkëshorti, i dënuar më parë për krime seksuale, të cilit gjykata i dha kujdestarinë e 2 nga 3 fëmijët e çiftit, duke thyer zemrën e një nëne dhe besimin e një qytetareje te drejtësia. 

Top Channel