Në odisenë e krizës greke, qeveria dhe populli bënë atë që mund të konsiderohet si lëvizja finale. Tani, me votën “jo” të grekëve, Syriza nuk mund të pranojë një marrëveshje që nuk përfshin një fshirje të bëshme borxhi, ose të paktën nuk ka sesi i thotë “po” një ujdie që shkel haptazi vijat e saj të kuqe.

Brenda këtyre parametrave, shkruan “The Guardian”, qeveria e Aleksis Tsiprasit, logjikisht, duhet të jetë e gatshme për një kompromis që i shpëton fytyrën.

Për palën tjetër, që do të thotë Trojkën dhe qeverinë gjermane, duke qenë se Syriza e ka hedhur hapin e vet, problemi është reduktuar tek marrja e një vendimi nën hijen e pasigurisë.

Më saktësisht, do të jetë një zgjidhje midis një “mundesie” të sigurtë, që rezultatin e ka të parashikueshëm, dhe një mundësie me faktor risku, ku situata nuk dihet çfarë rrjedhe merr.

Për institucionet europiane, mundësia e sigurtë do të ishte tërheqja nga qëndrimi i tyre dhe anullimi i një pjese të borxhit grek.

Zgjedhja me doza rreziku do të ishte mbyllja hermetike ndaj Athinës, duke e detyruar të largohet nga Eurozona, çka do të çonte sërish në mosshlyerje të huasë. Skenarët se çfarë mund të ndodhë në vazhdim janë disa:

Së pari, ekonomia do të marrë tatëpjetën aq shumë, sa grekëve do t’u vijë keq për votën e hedhur në referendumin e me rastin e parë do të rrëzojnë qeverinë.

Së dyti, dalja nga Eurozona do të pasohet nga largimi prej Bashkimit Europian.

Së treti, i gjithë procesi në vetëvete do të gjenerojë një krizë akoma më të gjerë.

Nga këndvështrimi europian, dy nga këto mundësi do të ishin qartazi më keq sesa falimentimi i menjëhershëm. Nëse Greqia e lë zonën e euros dhe e merr veten, atëherë i gjithë projekti i masave shtrënguese do të shfaqej si dështim total.

Nëse Greqia lë BE-në, e sidomos po e bëri dhe Britania një lëvizje të tillë, atëherë i humbur do të ishte vetë projekti europian.

I vetmi skenar që në Europë do të mund të perceptohej si fitore, sipas prestigjozes britanike, është ai që parasheh dështimin e ekonomisë greke, por qëndrimin e Athines në Bashkimin Europian dhe kështu nuk do të ketë një krizë të menjëhershme financiare.

Top Channel